Kur historia shkruhet me mllef, inate e ndoshta edhe me porosi!
Një historian i dobët nuk dallohet vetëm nga mungesa e fakteve, por nga mungesa e vetëdijes epistemologjike. Qysh në shekullin e kaluar Carr në librin e tij “What is History?” thoshte se faktet nuk “flasin” vetë por ato bëhen domethënëse vetëm brenda një kornize interpretimi. Historiani i dobët e injoron këtë dhe maskon paragjykimin e ndoshta edhe porosinë si objektivitet. Në frymën e Marc Bloch, i cili ishte i sigurt se historiani duhet të bëjë pyetje të zgjuara, jo vetëm të mbledhë fakte. Historiani duhet analizuar kontekstin (shoqëror, ekonomik, kulturor) e veçanërisht duhet të dijë se burimet duhen trajtuar me kritikë e jo si të vërteta absolute. Gjithmonë sipas tij, historiani i dobët dështon të bëjë pyetje thelbësore, duke e reduktuar historinë në inventar ngjarjesh pa analizë strukturore.
Më tej, duke sfiduar edhe kritikën metodologjike të Hayden White, historiani i dobët nuk e kupton se çdo rrëfim historik është ndërtim narrativ dhe pikërisht aty ku ai pretendon neutralitet absolut, zbulohet mungesa e refleksivitetit. Ai nuk analizon pushtetin e gjuhës, nuk problematizon burimet dhe nuk ndërton argument por thjesht vetëm riprodhon. Shpesh riprodhon sepse o nuk di, o ashtu dëshiron!
E në fund, historiani i dobët nuk është thjesht një transmetues i keq i së kaluarës por është një i paditur që prodhon iluzione për të tashmen.
E interesantja është që shpesh këta „historianë“ adhurohen shumë!
Kështu shkruan në një status në profilin e tij Blerim Canaj.
Blerim Canaj është historian i formuar në traditën akademike Evropiane. Ai ka studiuar histori dhe filologji në Graz dhe Salzburg, duke ndërtuar një bazë të fortë në analizën kritike të burimeve historike.
Ka doktoruar në në Univerzitetin e Vjenës në Institutin e Historisë së Evropës Lindore në fushën e historisë politike nën mentorimin e Oliver Jens Schmitt dhe Karl Kaser, dy emra botërorë të njohur në studimet për Evropën Juglindore. Ky formim e ka orientuar drejt një qasjeje analitike dhe kontekstuale në histori.
Para angazhimit në diplomaci Canaj ka qenë bashkëpunëtor shkencor në Universitetin e Vjenës, në Departamentin e Historisë së Evropës Lindore, ku ka zhvilluar më tej profilin e tij kërkimor në një mjedis ndërkombëtar.
Punimet e tij janë botuar kryesisht në gjermanisht dhe anglisht, duke e vendosur atë në diskursin akademik evropian. Libri i tij i fundit „Politischer Scheideweg in Kosovo (2023), trajton rolin e institucioneve në periudha krize dhe ofron një analizë të thelluar të zhvillimeve politike në Kosovë.
Ai përfaqëson një brez historianësh që synojnë të kuptojnë jo vetëm ngjarjet, por edhe proceset dhe mekanizmat që i prodhojnë ato. Aktualisht është profesor i Historisë Politike në Departamentin e Shkencave Politike në Universitetin UBT.



