Kur jeta e përgatit shkrimin e librit

30 mars 2026 | 10:47

Prend BUZHALA

Hysen R. Kryeziu, “Nga burgjet e errëta në dritën e shpresës”, “Armagedoni”, Prishtinë, 2026

Kur e lexova këtë libër dokumentar mbi vuajtjet nëpër burgjet politike apo mbi tmerret e luftës, më preku shumë dhe e ndjeva veten ligsht për një çast për shkak se ballafaqohesh me dhimbjen njerëzore e me qëndresën njerëzore. Në këto faqe protagonistët që i kam njohur e i njoh, shumë prej tyre të vrarë, të vdekur ose të lënë në harresë, shumë ndër ta të gjallë… Hyseni i ka ringjallur edhe njëherë.

Hysenin e kam njohur si nxënës në Gjimnazin “Luigj Gurakuqi të Kijevës (paralele të ndara të gjimnazit të Klinës). Asokohe (mesi i viteve ’70) isha edhe kujdestar klase i tij. E njihja, por jo kaq hollësisht, si ma sjell ky libër me kaq rrëfime autobiografike, me zërin autorial kaq të drejtpërdrejtë: Hysenin e veprimit, burgjeve, luftës… një dëshmitar i kohës, që ka përjetuar e ka kaluar nëpër dhimbje dhe ka gjetur forcën ta rrëfejë të vërtetën. Në këtë rast, ky libër m’i kapërceu caqet e leximit si akt intelektual, u bë një lexim si akt moral. Është një për­kulje përpara vuajtjes së tjetrit dhe një pranim i përgje­gjësisë për të mos harruar.

E kam njohur si të ri, me ëndrra e ideale dhe sot e shoh si dëshmitar të një historie të dhimbshme. Ashtu si shumë ish-nxënës të tjerë, luftëtarë, të burgosur, disa prej të cilëve nuk jetojnë më, Hyseni e përfaqëson atë brez që u përball me sprova të jashtëzakonshme. Kuj­timi i tyre të prek, por edhe të shtyn të ndihesh krenar e të kesh respekt të thellë.

Libra të tillë nuk lexohen lehtë. Ata trazojnë, rën­dojnë, bëjnë të reflektosh. Mirëpo, pikërisht kjo është vlera e tyre: të mos lejojnë harresën për shkak se kuj­tesa është forma më e lartë e respektit për ata që vuajtën dhe për ata që nuk janë më.

Përmasat dokumentare të librit

Në letërsi libri buron nga imagjinata, nga dëshira e autorit për krijimin e një bote artistike, por ka edhe raste kur libri (sidomos libri dokumentar) lind nga vetë jeta, nga përvoja e drejtpërdrejtë, nga dhimbja, nga ballafaqimi me historinë. Në veprën “Nga burgjet e errëta në dritën e shpresës”, jeta e paraqitur shfaqet si burim frymëzimi; ajo është themeli mbi të cilin thuret rrëfimi. Këtu jeta e përgatit shkrimin e librit përmes përvojave reale, sakrificave dhe qëndresës etike dhe njerëzore.

Që në fillim vepra paraqitet si një akt kujtese dhe përgjegjësie historike. Recensuesi i librit, mr. sc. Bedri Zyberaj, shprehet: “Ky libër nuk është vetëm rrëfim individual, por dokument i rëndësishëm historik…” Ky pohim na dëfton se libri nis si rrëfim personal, më tutje merr kornizat e rrëfim-përjetimeve në rrethana ekstreme.

Përvojat e burgut, demonstratave, përndjekjes dhe varfërisë, përvojat e luftës për liri etj. bëhen lënda kryesore e shkrimit. Jeta i paraprin tekstit, e përpunon atë dhe e shndërron në dëshmi. Përshkrimi i torturës, për shembull, sado që merr karakter simbolik apo metaforik; buron nga përvoja konkrete nëpër seancat e torturave udbeske: “Më vendosi në një pozicion torturues: gjunjët mbi kokrra fasule për orë të tëra”.

Një përjetim i tillë duket sikur sajohet me lehtësi, mirëpo ky përshkrim e formon vetëdijen, karakterin dhe, më pas, shndërrohet në rrëfim. E, pra, jeta me dhimbjen dhe me përplasjet e saj, e përgatit autorin për ta shkruar librin si akt kujtese dhe si kundërvënie ndaj harresës. Po ashtu, përvoja e demonstratave të vitit 1981 është një tjetër dëshmi se libri lind nga jeta reale. Autori përfshin thirrjet autentike të kohës: “Duam Republikë! Rroftë Kosova! O me hatër, o me luftë! Poshtë tradhtarët!” Këto fraza kaq të thjeshta e kaq të njohura nëpër dekadat e idealeve shqiptare, janë jehona e një kohe historike. Ato tregojnë se përvoja personale e autorit është e lidhur ngushtë me fatin kolektiv. Jeta individuale bëhet pjesë e historisë kombëtare dhe libri lind si reflektim i kësaj ndërthurjeje.

Një tjetër përmasë, ku jeta e përgatit shkrimin, është arsimi si formë rezistence. Autori shprehet: “Dija për mua nuk ishte vetëm mjet për punë. Ishte formë rezi­stence”. Kësisoj, ai dëshmon se edhe përvoja e shko­llimit në kushte represioni është pjesë e procesit for­mues që çon drejt shkrimit. Jeta e autorit ndërtohet mbi bindjen se dija është armë morale kundër shtypjes dhe pikërisht kjo përvojë i jep thellësi reflektimit në libër.

Në këtë aspekt, libri na vjen si rrëfim i së kaluarës, por na vjen edhe si rezultat i një pjekurie të fituar përmes vuajtjes. Arrestimet, demonstratat, humbjet apo sakrificat e kanë përgatitur autorin që ta shohë jetën në një përmasë më të thellë. Shkrimi bëhet trajtë e ruajtjes së dinjitetit, trajtë e dokumentimit të të vër­tetës për t’u dhënë zë atyre që nuk mundën ta tregojnë historinë e tyre.

Në veprën “Nga burgjet e errëta në dritën e shpre­sës”, autobiografia, përveçse është ai kujtimi personal, si dritare për ta kuptuar realitetin e një brezi të tërë, është edhe dëshmi historike dhe akt etik. Autori rrëfen jetën e vet përmes vetës së parë, duke e shndërruar përvojën individuale në histori kolektive.

Që në hyrje, në fakt te një referencë paratekstuale, një si përsiatje, ai e vendos veten në qendër të rrëfimit, pa e glorifikuar figurën e tij; e përdor për të dëshmuar për një kohë të errët: “Në faqet që vijnë do të hyni në një botë të fshehur për shumë kohë; do ta hapni derën e qelive ku historia dhe vuajtja bashkohen në një rrëfim njerëzor…”

Kështu, autori tregon qartë se rrëfimi është personal (“zëri im”), por me qëllim përtej vetvetes. Një veçori e këtij rrëfimi autobiografik është sinqeriteti. Autori nuk e fsheh dhimbjen dhe as çastet e vështira.

Një tjetër tipar i rëndësishëm është ndërthurja e unit personal me identifikimin me popullin, me idealistët, me bashkëvuajtësit: “Duam Republikë! Rroftë Kosova! O me hatër, o me luftë! Poshtë tradhtarët!” Autobiografia bëhet histori e përbashkët. Autori nuk rrëfen vetëm për veten, por për një gjeneratë që përjetoi dhunën, për­ndjekjen politike dhe qëndresën.

Edhe në përshkrimin e familjes, rrëfimi autobiografik merr përmasa përjetimesh emocionale dhe etike. Ai e paraqet nënën si figurë sakrifice, babanë si shtyllë e familjes dhe familjen si bazë rezistence. Këta përbërës rrëfimorë e bëjnë autobiografinë një si kronikë ngjar­jesh, por edhe pasqyrë të vlerave të kohës.

Kësisoj, ky rrëfim autobiografik, në këtë rast, më shumë se paraqitje e jetës së autorit, shfaqet si dëshmi e një epoke. Përmes rrëfimit të tij historia personale shndërrohet në histori kombëtare, ndërsa kujtesa individuale bëhet trashëgimi për brezat që vijnë.

Vlerat e kujtesës

Në veprën “Nga burgjet e errëta në dritën e shpre­sës”, përvoja e burgosjes paraqitet në dy kohë histo­rikisht të ndryshme, por të lidhura nga i njëjti bosht: represioni ndaj shqiptarëve në Kosovë. Përvoja e bur­gosjes e paraqitur si episod personal, merr pamjen e një kohe të trazuar historike. Burgosja e parë dhe e dytë e autorit ndodhin në kontekstin e viteve ’80 dhe gjatë luftës. Konteksti kohor është thelbësor: pas demon­stratave të marsit dhe prillit 1981, regjimi kishte filluar arrestime masive, survejim dhe presion ndaj familjeve të përfshira në veprimtari kombëtare. Autori e përjeton këtë si fillimin e ndeshjes së drejtpërdrejtë me push­tetin. Ai e përmbyll këtë episod me reflektimin: “Ishte hera e parë që u arrestova, por jo e fundit. Kështu dhe këtu filloi kapitulli im i përballjeve me pushtetin dhe burgun, por jo e fundit”.

Kjo burgosje kishte ndodhur në fund të vitit 1982, në një kohë kur aktivitetet ilegale ishin shtuar dhe shumë grupe ishin zbuluar nga UDB-a. Konteksti kohor është i qartë: pas djegies së makinës së UDB-së, shpërndarjes së afisheve dhe shkrimit të parullave, survejimi ishte rritur ndjeshëm. Autori përshkruan çastin e arrestimit: “Më kontrolluan tërësisht, m’i hoqën lidhëset e këpu­cëve, rripin, më morën çdo send personal”.

Ndryshe nga e para, burgosja e dytë ndodh në një kontekst shumë më të rëndë: gjatë luftës në Kosovë, kur represioni kishte kaluar nga survejimi dhe dënimet individuale në dhunë të organizuar masive e gjeno­cidale. Në këtë periudhë, arrestimet kaluan caqet e ndëshkimit politik; ato ishin pjesë e strategjisë së frikë­simit, gjenocidit dhe spastrimit etnik. Autori për­shkruan klimën e terrorit ku shqiptarët arrestoheshin, rriheshin dhe deportoheshin. Ai dëshmon: “Në thellë­sitë e burgjeve të regjimit serb, ku padrejtësia kishte zënë vend dhe dhuna kishte pushtet, u zhvillua një betejë tjetër – beteja e shpirtit kundër thyerjes”. Autori dhe bashkëvuajtësit e tij ndeshen me kushte ekstreme, por solidariteti mbetet i fortë: “Edhe në errësirë njeriu bën komunikim me njëri-tjetrin në forma të ndryshme”. Kjo dëshmi na dëfton se edhe në kulmin e terrorit, ndjenja e përkatësisë dhe qëndresa morale nuk u shuan. Nëse burgosja e parë ishte paralajmërim, e dyta ishte balla­faqim me historinë në kulmin e saj dramatik. Në të dyja rastet ai dëshmon se burgu mund ta izolojë trupin, por nuk mund ta burgosë ndërgjegjen. Dhe pikërisht ky fakt e bën rrëfimin e tij jo vetëm autobiografi, por dëshmi të një epoke.

Kujtesa është një nga përbërësit kryesorë të iden­titetit individual dhe kolektiv. Në veprën “Nga burgjet e errëta në dritën e shpresës”, kujtesa si rikujtim i së kaluarës është edhe akt nacional, etik dhe dëshmi historike, është trajtë e qëndresës. Përmes rrëfimit të përvojave personale autori e shndërron kujtesën në vlerë të përhershme me rëndësi të dyfishtë: edhe për vetveten edhe për ne të tjerët.

Një nga vlerat kryesore të kujtesës në këtë vepër është ruajtja e së vërtetës. Po ashtu, këtu hyn edhe forcimi i identitetit kombëtar: që nga demonstratat e deri te lufta për liri. Në përshkrimin e qëndresës së të burgosurve, autori thekson: “Ai nuk u përkul. Nuk u shua. Nuk u dorëzua”.

Tri vlera të tjera dalin në pah si strukturë morale e rrëfimit: dinjiteti njerëzor, familja dhe arsimi. Përmes përvojës personale, autori dëshmon se edhe në rrethana ekstreme, në burg, nën shtypje dhe në varfëri, këto tri struktura mbeten të pathyeshme dhe bëhen burim rezistence.

Këto vlera kujtese në këtë vepër janë të shumëfishta, siç janë ruajtja e së vërtetës personale dhe historike, mbrojtja e identitetit kombëtar, afirmimi i dinjitetit njerëzor, si dhe edukimi i brezave të ardhshëm.

Një tjetër vlerë është dëshmia e sakrificës kolektive. Autori thekson se historia nuk ndërtohet vetëm mbi fitore: “Historia nuk shkruhet vetëm me fitore, por edhe me sakrifica të heshtura…” Po ashtu, kujtesa shfa­qet si ruajtje e identitetit kombëtar. Në përshkrimin e jetës nën pushtim, autori vë në pah: “Jeta u shndërrua në një burg të madh për popullin shqiptar”.

Na vjen e pasur e me përjetime edhe kujtesa fami­ljare. Autori e ruan me respekt figurën e nënës dhe grave të familjes: “Ishin ushtarë pa armë, por me zemrën më të fortë se çeliku”. Kjo pamje metaforike e fuqishme e shndërron kujtesën familjare në vlerë morale gjithë­njerëzore.

Burgu, në logjikën e pushtetit represiv, synon izoli­min fizik. Synon, ndër të tjera, edhe thyerjen morale të njeriut. Megjithatë, në këtë vepër burgu nuk arrin ta shkatërrojë dinjitetin njerëzor. Edhe në kohë frike dhe varfërie, familja mbetet e bashkuar: “Kjo ishte jeta jonë: një luftë e heshtur, një mbijetesë e përditshme kundër një sistemi që na donte të zhdukur”.

Grupi ilegal dhe bashkëvuajtësit tregojnë fuqinë e bashkimit në kohë represioni. Solidariteti bëhet forma më e fuqishme e rezistencës. Në veprën “Nga burgjet e errëta në dritën e shpresës”, grupi ilegal dhe bashkë­vuajtësit paraqiten si dëshmi e qartë se bashkimi është më i fortë se frika. Autori e shndërron përvojën perso­nale në shembull të forcës kolektive, duke dëshmuar se njeriu nuk mbijeton vetëm, por përmes lidhjes me tje­trin. Solidariteti shfaqet edhe jashtë burgut, në organi­zimin e grupit ilegal. Takimet në oda, bashkë­punimi në përgatitjen e parullave dhe aksionet e për­bashkëta, dëshmojnë për një ndërgjegje kolektive. Solidariteti në këtë vepër është strategji mbijetese që i jep kuptim sakrificës dhe e forcon ndjenjën e përkatë­sisë. Në kushte represioni, kur pushteti përpiqet të për­çajë dhe të izo­lojë, bashkimi bëhet akt i vetëdijshëm kundërshtimi.

Protagonisti i librit si luftëtar i lirisë

Protagonisti i kësaj vepre është luftëtar i lirisë për shkak se rritet me vetëdijen për padrejtësinë, përfshihet në organizim ilegal me përgjegjësi, ballafaqohet me burgun pa e humbur lirinë e brendshme dhe e ndërlidh idealin kombëtar me arsimin dhe familjen.

Nuk është kjo betejë për lavdi personale. Është luftë për një ideal nacional. Figura e tij përfaqëson brezin që e kuptoi se liria kërkon sakrificë dhe qëndresë të palëkundur. Përmes tij, libri dëshmon se luftëtari i lirisë qenka jo vetëm ai që mban armë, por edhe ai që mban ndërgjegje të zgjuar dhe dinjitet të pathyeshëm.

Personalja, vetvetja, ndryshe nga paraqitjet e hero­njve të mitizuar, këtu na shfaqet si njeri i zakonshëm që, në rrethana të jashtëzakonshme historike, shndërrohet në luftëtar të lirisë. Lufta e tij, nga aksionet ilegale e bur­gosjet, nga familja dhe nga bankat e shkollës te rrjedhat e tjera historike, e çon protagonistin-autor drejt një etape edhe më të rëndë: pjesëmarrjes në luftën për liri gjatë viteve 1998-1999. Në këtë fazë lufta ishte ndeshje e drejtpërdrejtë me pushtuesin, me dhunën e organizuar ushtarake e policore shtetërore. Kështu, figura e tij si luftëtar i lirisë merr dimension të plotë historik.

Edhe gjatë luftës solidariteti mes bashkëluftëtarëve dhe bashkëvuajtësve forcon figurën e tij. Përmes për­jetimeve të përbashkëta ai dëshmon se liria fitohet me bashkim dhe sakrificë kolektive. Pjesëmarrja në luftë e përmbyll figurën e protagonistit si luftëtar i lirisë. Ai kalon nga rezistenca qytetare dhe ilegale në ballafaqim të drejtpërdrejtë. Lufta paraqitet vazhdimësi e një ideali të hershëm.

Luftëtarët dhe lufta paraqiten si realitet kohe dhe si përvojë e shumëfishtë: politike, morale dhe shpir­tërore. Autori e ndërton figurën e luftëtarëve (takimet, betejat, ndejat), si njerëz të zakonshëm që, në rrethana të jashtëzakonshme, marrin mbi vete barrën e kohës. Janë njerëz të ndërgjegjshëm që veprojnë për një qëllim të përbashkët. Është kjo luftë çlirimtare si proces historik: që fillon me demonstratat, organizimet ilegale dhe sakrificat e heshtura deri tek akti i luftës për liri.

Autori e përshkruan atmosferën e përgjithshme të kohës së luftës si një gjendje të vazhdueshme tensioni dhe frike: “Krismat nuk pushonin. Çdo natë sillte ankth të ri dhe çdo mëngjes zgjonte një realitet më të rëndë se ai i djeshmi”.

Ky përshkrim e vendos lexuesin brenda klimës së luftës. Lufta nuk paraqitet si episod i izoluar, por si gjendje e përditshme që prek familje, fshatra dhe qytete. Autori thekson: “Nuk kishim më zgjedhje. O do ta mbronim pragun tonë, o do të zhdukeshim”. Kështu e sintetizon filozofinë e pjesëmarrjes në luftë. Autori përshkruan edhe rastet e solidaritetit mes bashkëluftë­tarëve: “Në ato ditë nuk kishte më dallime, ishim vetëm shqiptarë që mbronim njëri-tjetrin”. Lufta forcon iden­titetin kolektiv. Luftëtarët janë pjesë e një trupi të përbashkët kombëtar.

Në përfundim

Përmes përvojës së tij libri dëshmon se luftëtari i lirisë formohet në kohë të errëta, rritet me sakrificë dhe e ruan dinjitetin edhe në ndeshjet më të ashpra. Liria në këtë vepër nuk është dhuratë, po rezultat i qëndresës së gjatë, e cila kulmon me pjesëmarrjen në luftë.

E, pra, libri dëshmon se njerëzit formohen nëpër­mjet sakrificës, se kolektiviteti mbijeton përmes indi­vidëve të ndërgjegjshëm, se liria nuk është produkt spontan, por rezultat i sakrificave të panumërta. Në këtë aspekt, libri shpalos një filozofi të qëndresës së matur, ku nuk glorifikohet dhuna, por theksohen vetë­përmbajtja, qëndrueshmëria dhe besimi në drejtësi.

Një nga mesazhet më të forta të veprës është se liria nuk lind papritmas. Në librin “Nga burgjet e errëta në dritën e shpresës” njeriu dhe kombi të cilit i takon, paraqiten si dy përmasa të së njëjtës përpjekje histo­rike. Njeriu formohet përmes sakrificës dhe vuajtjes, kurse kolektiviteti mbijeton falë ndërgjegjes së tyre.

Vepra “Nga burgjet e errëta në dritën e shpresës” është edhe tekst që vendoset natyrshëm në traditën e literaturës së qëndresës shqiptare. Kjo traditë, e ndër­tuar mbi sakrificën, dinjitetin dhe aspiratën për liri, përfshin rrëfime që dokumentojnë përndjekjen, bur­gosjen dhe luftën për liri e për identitet kombëtar. Libri i Hysen R. Kryeziut ndjek pikërisht këtë vijë, duke e shndërruar përvojën personale në dëshmi kolektive. Literatura e qëndresës shqiptare karakterizohet nga dëshmia e sakrificës dhe e përndjekjes për shkak të bindjes kombëtare.

Një tjetër tipar i kësaj tradite është theksimi i qendre­sës nacionale përballë dhunës. Kjo “betejë e shpirtit” është motiv i njohur në literaturën e qëndresës: lufta e brendshme për ta ruajtur dinjitetin. Këtu vepra lidhet me traditën ku forca morale është më e rëndësishme se forca fizike. Kur autori e afishon bindjen e tij, se “historia nuk shkruhet vetëm me fitore, por edhe me sakrifica të heshtura”, kësisoj e sintetizon frymën e qëndresës shqiptare: lavdia vërtet qëndron te fitorja, por ajo merr më shumë domethënie në përballimin e padrejtësisë me dinjitet.

Libri ka vlerë historike, si dëshmi e represionit të viteve ’70–’80, por ka edhe vlerë pedagogjike, si tekst që edukon brezat për çmimin e lirisë. Është vepër që shërben si burim për studiues dhe si tekst reflektues për nxënës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ritheksuar premtimin prej 1…