Kur ora kthehet mbrapshtë nga njerëz të mbrapshtë!

16 qershor 13:52

Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

Kush luftoi dhe kush mrizoi: Sikur në asnjë vend të botës, në Kosovë, 20 vjet pas përfundimit të luftës, janë rikthyer debatet se kush e nisi luftën, kush e bëri luftën dhe kush e fitoi luftën. Në këtë debat të pavlerë, më agresivët janë ata që, jo se nuk bënë asgjë për luftën, por e penguan atë. Këtë po e bëjnë për faktin se fituan hapësirë për këtë pikërisht nga ata që e bënë dhe u sakrifikuan për luftën, por se nuk u gjetën si duhet në kohën e paqes për faktin se një numër i tyre u përfshinë në aktivitete të krimit të organizuar, korrupsion, e shndërruan nepotizmin në rregull dhe standard moral e sidomos e çkrryen Kosovën përmes procesit të privatizimit. Ata që në kohën kur fasulja hahej kokërr për kokërr, komandantin legjendar Adem Jasharin e identifikonin me paramilitarë të Serbisë e që Bacën e Madh, Frymëzuesin, Vetëdijen dhe Ndërgjegjen Kombëtare, Adem Demaçin, e konsideronin marksist, enverist dhe mbanin mbledhje, duke e cilësuar më të rrezikshëm se vetë Serbia, sot po shiten si bartës të luftës të cilën nuk e bënë asnjëherë. Po këta horra të luftës dhe të paqes, komandantin legjendar, Adem Jasharin, përpiqen ta bëjnë ushtar të Ibrahim Rugovës ndonëse e kanë të qartë se sa për Rugovën në Kosovë nuk do të bëhej luftë as në 5 000 vjetët e ardhshëm. Nuk e them se Rugova nuk e ka dashur lirinë e Kosovës dhe shqiptarëve, por e them se nuk ka qenë në gjendje të marrë përgjegjësi siç mori Izetbegoviqi në Bosnje apo Tugjmani në Kroaci. Ose, në variantin më të butë, nuk ishte në gjendje të merrte përgjegjësi as sikur Kuçani në Slloveni, ndonëse që të dy ishin komunistë me bindje dhe në veprim. Prandaj duhet të bëhet një ndarje e saktë midis atyre që e bënë luftën dhe atyre që mrizuan para, gjatë dhe pas luftës ndërsa, sot i ndajnë dekorata patriotizmi vetes sikur të kishin qenë ushtarë të Xhingis Kanit që e pushtuan gjysmën e botës e jo dele të metilosura që mrizonin në shtetet perëndimore duke u paguar nga Fondi i 3 përqindëshit apo duke bërë sfilata “ushtarake” në Shqipëri pas së cilës, ndonëse humbën jetën në aksidente trafiku apo mënyra të tjera e që nuk kishin lidhje fare me veprime ushtarake, sot, për turpin e tyre, janë veteranë të UÇK-së si dhe janë shpallur edhe heronj të Kosovës. Lexova diku se edhe legjendari Fehmi Lladrovci po nëpërkëmbet dhe fyhet rëndë nga matufë biologjikë dhe tartufë kombëtarë dhe njerëzorë sepse nuk paska qenë një linjë me Rugovën. Edhe nuk ka qenë sepse kanë ndryshuar diametralisht, Rugova ishte i mrizit, Feha me Xhevë Lladrovcin ishin të zjarrit që e dëshmuan me rënien e tyre heroike. Rugova nuk ishte komandant, prandaj nuk ishte as ushtar, kurse Fehmi dhe Xhevë Lladrovci kishin komandantë politikë Bacën Adem Demaçi kurse ushtarak, komandantin legjendar Adem Jashari. Tash është e ulët të ndahen luftëtarët në baza partiake sepse në kohë të vështira kombi ishte mbi të gjitha e jo përcaktimi partiak apo politik. Sot flitet për FARK-un (Forcat e Armatosura të Kolumbisë) dhe UÇK-në, Ushtri Çlirimtare e Kosovës. Sipas strategëve të mrizit, vetëm FARK-u paska bërë luftë, ndërsa UÇK-ja jo. Gënjeshtër ordinere dhe mburravecëri prej bibani. Në Kosovë nuk ka pasur asnjë ushtar me uniformë të FARK-ut! Mbase kanë mundur të kenë brekushe apo të linjta me mbishkrim FARK. Kush e ka dashur lirinë e Kosovës dhe kush ka qenë me përmbajtje kombëtare nuk ka pasur kohë të qëndisë shkronja në uniformat e tyre. Çfarë rëndësie ka se çfarë pozicioni politik ka pasur Agim Ramadani, Sali Çeku dhe të tjerët kur vepra e tyre si dhe sakrifica sublime i ka shndërruar në heronj duke i bërë pjesë të përjetësisë! Sa të jetë njerëzimi dhe shqiptaria, heronjtë dhe ata që u sakrifikuan për liri, pavarësisht se me çfarë gjuhe politike flisnin, do të jenë në secilin nga ata që e duan, e respektojnë, e kultivojnë, e përkujtojnë dhe nuk e harrojnë lirinë, si detyrim moral, kombëtar dhe njerëzor! Historinë e shkruajnë ata që e bënë me gjak dhe sakrifica, kurse nga ajo përfitojnë ata që ishin kundër kësaj historie apo një historie tjetër apo që e bëjnë fotokopje ose xerox histori! Me një fjalë, horra të pasluftës e të tillë ka shumë!

Lexova diku se Rugova paska bërë lista për ushtrime ushtarake në Shqipëri e që është mashtrim ordiner kur dihet se pikërisht Rugova ishte 100 për qind kundër luftës, jo pse nuk e deshi lirinë, por se i mungonte gatishmëria për sakrificë dhe përgjegjësi! Rugova ishte patriot i paqes dhe jo i luftës, në ndërkohë që rruga drejt paqes domosdoshmërisht kalon përmes luftës. Sot Rugovën e madhërojnë ata që nuk e kanë dashur kurrë, që nuk e kanë respektuar dhe që i kanë bërë njëqindmijë probleme! Sot Rugovën, në mungesë të ofertës politike, e përdorin dhe keqpërdorin vetëm për vota, në luftë për pushtet dhe jo për shtet. Se këtë e bëjnë një pjesë komuniste e LDK-së e që për mua nuk paraqet problem, por se këtë e bënë edhe një pjesë e krahut të luftës e që në rrethana të atëhershme, po ta zinin Rugovën, do t’ia bënin lëkurën për def apo tupan, është pafytyrësi antologjike!

A ishte Zahir Pajaziti ushtar i Rugovës: Po thuhet se Zahir Pajaziti ishte ushtar i Rugovës apo pjesë e listës për ushtrime ushtarake në Shqipëri e që e kishte bekimin e Rugovës. Duhet të jeni, së paku në nivelin e tretë të çmendurisë e ta besoni këtë. Në atë kohë listat për ushtrime ushtarake në Shqipëri i ka bërë Baca Ahmet Haxhiu, një patriot i pashembullt sikur që edhe furnizimi me armë ka shkuar kryesisht përmes Bacës Ahmet e që për këtë prapa qëndronte Baca Adem Demaçi. Edhe unë, pas daljes nga burgu thuaja 9-vjeçar e që paqësorët na thoshin se nuk ishim në burg, por se ishim në hotele, së bashku me gruan time Fexhrien, e cila ishte torturuar thuaj 12 muaj nga vëllai i bashkëthemeluesit të UJD-it, si e burgosur politike, ishim në lista për ushtrime në Shqipëri. Unë, nga hija, së bashku me Bacën Ahmet Haxhinë shpërndanim armë në Llap dhe Gollak, me veturat e Bacës Ahmet. Realisht, armët ua shpërndanim për pesë minuta, ndërsa kur shkonim t’ua merrnim prapa, për faktin se nuk kishin gatishmëri t’i përdornin, duhej të prisnim më shumë se një orë derisa i nxirrnin nga vendi ku i kishin fshehur fort. Për fat të mirë, sot ka në mesin e të gjallëve të tillë që i kanë përdorur ato armë, por edhe të tillë që i patën futur shtatë pashë nën dhe që na i kthyen pasi kishin filluar të ndryshken. Këta sot janë bartës të pozitave të ndryshme, kanë emër dhe mbiemër dhe, nëse ka nevojë, mund edhe t’i bëj publik! Dëshmitarë për këtë dhe bashkëpjesëmarrës shumë të përkushtuar në këto aktivitete ishin Nuhi Llapqini dhe Dul Taraku, shoqërues dhe përkrahës deri në vdekje të Bacës Adem Demaçi dhe Bacës Ahmet Haxhiu. Fëmijët e torturuesve tanë (policë hetues, udbash, inspektorë, prokurorë apo edhe gjykatës që na dënuan) sot janë sistemuar si më së miri; këshilltarë te presidenti, në Kuvendin e Kosovës, kryeministri dhe, në shumicën e rasteve nuk paguhen nga buxheti i Kosovës apo marrin paga të larta, kurse fëmijët tanë kryesisht janë të papunë apo bëjnë punë në kundërshtim me shkollimin që e kanë. Pikërisht për këtë arsye është kthyer situata në favor të atyre që e kundërshtuan, e luftuan dhe e penguan luftën, prandaj edhe po bëjnë përpjekje ta marrin autorësinë e luftës në kohën që nuk e kanë shkrepur as edhe një plumb të vetëm, përjashtuar këtu situatën kur kanë shërbyer në forcat serbe apo kur kanë vrarë ndonjë patriot shqiptar! Po të pyetej Rugova, Zahir Pajaziti kurrë nuk do të bëhej Zahir që e njohim dhe që u sakrifikua deri në vetëflijim, por do të mbetej një aparatçik sikur disa nga këta kasnecët e ish-Lidhjes Socialiste të Popullit Punonjës të Jugosllavisë, të konvertuar në LDK, por edhe në PDK!

Sot kryesisht është koha e antivlerave. Vlerat e vërteta nuk përmenden. Komandanti Legjendar Adem Jashari është përzënë nga territori i Prishtinës, kryetari i së cilës e ruan me xhelozi përmendoren e Vëllazërim Bashkimit apo Tregishtërinjtë për të mos i lëshuar vend Adem Jasharit. Baca Adem Demaçi as në atë botë nuk ka qetësi nga matrapazët që e kanë shndërruar varrin e tij në një vendparkim në vend se të bëhet në një vendtakim për ata që e duan lirinë dhe ku do të mësohej historia e vërtetë kombëtare dhe njerëzore.

Po pse u bë kështu dhe a mund të bëhej ndryshe: Pas përfundimit të luftës në Kosovë, Serbia e ruajti strukturën e padëmtuar informative dhe thuaja të gjithë spiunët që i kishte. Këta pastaj u integruan si tërësi në UNMIK e që pastaj u shpërndanë në polici, hetuesi, prokurori dhe gjykata. Thuaja e trashëguan tërë hapësirën mediatike, të shkruar dhe elektronike. U shpërndanë nëpër ambasada të huaja si këshilltarë dhe përkthyes sikur që u bënë anëtarë të organizatave ndërkombëtare ku punonin kryesisht kundër interesave kombëtare. U bënë opinionistë e analistë, kurvarë dhe zuzarë, intelektualë dhe politikanë, konsuj dhe ambasadorë dhe, pas këtij konvertimi, u bënë patriotë që na linin në hije. Tash, shokët tanë të burgut, vuajtjeve, sakrificës dhe luftës duke bërë përpjekje t’i instrumentalizojnë këto fundërrina njerëzore dhe kombëtare, pahetueshëm e bënë pjesë e kësaj përzierjeje që kundërmonte nga ndyrësira, me një dozë të parfumit kinez. Telefonat celularë i kishin të hapur për ta 24 orë, kurse për shokët e dikurshëm e kishin kurdisur përgjigjen: “personi që e keni kërkuar nuk ka qasje në rrjet…”. Një pjesë e shokëve tanë u bënë hajdutë, kriminelë, vrasës, zhvatës dhe pisa shkuar pisave. Sot në Kosovë e keni të vështirë të gëzoni respekt nëse nuk jeni pjesë e nomenklaturës së kriminalizuar, nuk mund të bëni karrierë nëse nuk keni një aktakuzë për korrupsion apo krim të organizuar kurse, majat kur nuk do t’i mbërrini nëse nuk jeni të dënuar me, së paku, tri vjet burg efektiv për aktivitete kriminale!

Për faqe të zezë u festua 20-vjetori i lirisë së Kosovës dhe nuk u përmend Adem Jashari, kurse Bacën Adem Demaçi e përmendi në një postim vetëm Xhavit Haliti. Askush nuk përmendi ideologun e politikës dhe filozofisë kombëtare, Ukshin Hotin. Askush nuk përmendi Agim Ramadanin, Xhemajl Fetahun, Sali Çekun, Ilaz Kodrën, Fehmi dhe Xhevë Lladrovcin, Hafir Shalën, Xhavit Hazirin, Luan e Shkëlzen Haradinaj, Remzi Ademajn dhe të tjerët të cilët edhe me një pordhë të tyre kanë kontribuar më shumë për lirinë e Kosovës se 95 për qind i parazitëve që bënë sfilatë në “Emerald” nën përkujdesjen e Baby Dollit.

Çdo kohë i ka heronjtë e vet dhe horrat e vet që e vulosin kohën kur jetojnë dhe veprojnë. Sot, Kosova, në jo pak raste, heronjtë realë i ka zëvendësuar me horra realë. Që të dyja palët janë realë, por se horrat sot janë më realë se realë duke falënderuar pikërisht ata që është dashur t’i luftojnë këta horra e që, në jo pak raste, edhe vetë janë bërë horra. Vlerat e vërteta mbijetojnë çdo kohë, kurse koha pashmangshëm i gjuan horrat aty ku e kanë vendin, në plehra. Pa mundësi riciklimi!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri i ri i skuadrës italiane, Frosinone që nuk mundi…