
Kur pushteti qan për klasën e fëmijëve të vet, por harron fëmijët e gjithë Kosovës
Shkruan: Hisen Berisha
(Neokomunistët e rinj profilizojnë luftën e klasave)
Nëse presidentja e vendit shprehet se “klasa ku mësojnë vajzat e saj pranë tualeteve rrezikon shëndetin e tyre”, atëherë e njëjta e vërtetë vlen edhe për fëmijët e çdo qytetari të Kosovës. Athua se fëmijët e tjerëve janë më imunitarë? Athua ata nuk po arsimohen në të njëjtat kushte. Sepse rreziku nuk është individual, por kolektiv. E pra, zgjidhja nuk duhet të bëhet për individin, por për gjithë nxënësit.
Presidentja sikur të kishtë veç pak moral e dinjitet njerëzor, është dashur aty për aty të thërras atë që e ka mandatuar si Kryeministër e ministren e linjës që mburrën e kërkojnë votë prap për të qeverisur, e të kërkoj përmirësimin e kushteve të mësimit në të gjitha shkollat e vendit, e t’ua rregulloj jetën të gjithë nxënësve, jo vetëm vajzave të veta.
Por ky nuk është problemi i vetëm. Presidentja ka mundësi financiare të çojë fëmijët e saj në shkolla prestigjioze private, me kushte të nivelit më të lartë, ndërsa shumica e qytetarëve luftojnë çdo ditë për mbijetesë dhe për ta mbajtur fëmijën e tyre sëpaku në shkollën publike. Kjo krijon një hendek të madh shoqëror dhe arsimor, që sot është i dukshëm, por nesër do të bëhet edhe më i padrejtë.
Sepse fëmijët e presidentes po shkollohen me standarde të larta, duke qenë të pakonkurueshëm në tregun e punës në të ardhmen, ndërkohë që fëmijët e qytetarëve të zakonshëm, përfshi edhe ata të dëshmorëve e veteranëve që as kaq mundësi nuk kanë, po mësojnë në kushte të mjerueshme. Dhe ironia më e madhe është se të dy palët po shkollohen nga të ardhurat që vijnë prej buxhetit të shtetit – njëra me privilegje që ua mundësojnë të hyrat e larta nga taksat e qytetarëve dhe korrupsioni e krimi i organizuar, tjetra me padrejtësi e mjerim social.
A nuk janë pikërisht këta pushtetarë që erdhën me sloganin e zvogëlimit të dallimit në të ardhura ndërmjet nivelit të lartë udhëheqës dhe shtresës së administratës shtetërore, e deri te kategoritë e sektorit publik e privat? Ku shkollohen dhe ku jetojnë fëmijët e Kryeministrit, të Zëvendëskryeministres e të Ministres së Jashtme, dhe pothuajse të gjithë ish-ministrave aktualë dhe deputetëve?
Të gjithë e kanë ndarë jetën e tyre nga realiteti i qytetarëve që pretendojnë t’i përfaqësojnë.
Sa shumë janë shkëputur nga populli këta “neokomunistë” të rinj, që në emër të barazisë e drejtësisë sociale, e kanë thelluar pabarazinë dhe i kanë kthyer privilegjet personale në standard të qeverisjes.
Sa fyese e poshtruese është kjo për fëmijët e prindërve të shkollës “Ismailqemal Vlora”, të cilët meritojnë kushte të barabarta dhe dinjitoze si çdo fëmijë tjetër i këtij vendi.