
Kurti: Akuzat për terrorizëm kundër tre policëve mesa duket janë hedhur poshtë
16 qershor 2023
| 13:42
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se mesa duket, prokurori në Serbi ka hedhur poshtë akuzat për terrorizëm kundër tre policëve të arrestuar të Kosovës, ndërsa i ka mbajtur në fuqi vetëm akuzat për posedim të paligjshëm të armëve.
Kurti i ka bërë këto komente gjatë një adresimi në Forumin e Prespës në Strugë.
“Dua ta falënderoj Departamentin amerikan të Shtetit që kërkoi lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tre policëve të Kosovës. Kjo është rruga përpara”.
“Së pari, këta policë duhet të kthehen, por, në të njëjtën kohë, bashkësia ndërkombëtare duhet ta dënojë me vendosmëri dhe qartë agresionin e Serbisë në Kosovë”, ka thënë Kurti.
Tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës janë rrëmbyer nga forcat serbe më 14 qershor.