Kurti: Anëtarësimi në NATO, objektiv strategjik i yni

08 prill 2026 | 19:52

Kryeministri Albin Kurti tha se anëtarësimi i Kosovës në NATO është objektiv strategjik i vendit.

Këto komente, ai i bëri gjatë ceremonisë së transferimit të autoritetit të drejtorit të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës (NALT) të NATO-s në Kosovë, ceremoni kjo që u mbajt në ambientet Ministrisë së Mbrojtjes.

“Anëtarësimi i Republikës së Kosovës në NATO mbetet një objektiv strategjik i yni, dhe progresi që po shënojmë sot e çdo ditë tjetër konfirmon se jemi në rrugën e duhur”, deklaroi Kurti.

Ai tha se Kosova ka ndërtuar institucionet e saj të sigurisë mbi bazën e bashkëpunimit të ngushtë dhe të qëndrueshëm me NATO-n dhe shtetet e saj anëtare.

Sipas tij, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) është sot një institucion profesional, i besueshëm dhe në zhvillim të vazhdueshëm, “dhe ky progres është rezultat i përkushtimit të brendshëm, por edhe i mbështetjes së palëkundur të partnerëve tanë, për çfarë u jemi mirënjohës përherë”.

Kurti deklaroi se roli i NALT-it në rrugëtimin e Kosovës ka qenë thelbësor.

“Përmes këshillimit strategjik, asistencës profesionale dhe bashkëveprimit të përditshëm, NALT ka kontribuar drejtpërdrejt në rritjen e kapaciteteve operacionale, në forcimin e qeverisjes demokratike dhe në ngritjen e standardeve institucionale, si të Ministrisë së Mbrojtjes ashtu edhe të Forcës së Sigurisë së Kosovës”, theksoi më tej kryeministri, teksa shtoi: “E në veçanti, në këtë periudhë të ndjeshme për sigurinë globale, e karakterizuar nga sfida të reja dhe dinamika të paparashikueshme, bashkërendimi i ngushtë me partnerët tanë strategjikë është më i rëndësishëm se kurrë”.

Në këtë kuadër, ai tha se prezenca e NATO-s në Kosovë, përmes Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës (NALT), përbën një element kontribuues jo vetëm për sigurinë e vendit, por edhe të mbarë rajonit.

Ai vlerësoi edhe kontributin e Drejtorit të deritashëm të Zyrës së NALT-it në Kosovë, Gjeneral Brigade, Sven Lange.

“Puna e tij ka lënë gjurmë të qëndrueshme në zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe në konsolidimin e institucioneve tona të mbrojtjes, duke kontribuar në rritjen e besueshmërisë dhe kredibilitetit të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare”, theksoi Kurti, teksa shtoi se është i bindur se pasardhësi i tij, Gjeneral Brigade, Thomas Schulte-Borghoff “do të vazhdojë këtë mision me të njëjtin përkushtim dhe profesionalizëm”.

“Këtu në Kosovë, në Republikën tonë demokratike do të gjeni një ambient miqësor e të ngrohtë, me institucione të dedikuara për t’i shërbyer paqes dhe sigurisë, lirisë dhe stabilitetit”, tha kryeministri Kurti në fund të fjalës së tij.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një person në Prizren është arrestuar për pesë raste të…