Kurti: Ata që po urdhërojnë braktisjen e institucioneve u pengon ligjshmëria

09 nëntor 2022 | 11:04

Qeveria e Kosovës është duke zhvilluar mbledhjen e përgjithshme të thirrur nga kryeministri Albin Kurti.

Në fillim të kësaj mbledhje, kryeministri Kurti është deklaruar në lidhje me situatën e krijuar pas largimit të serbëve nga institucionet e Kosovës.

Kurti ka thënë se duan sundim të ligjit, sepse sipas tij mungesa e sundimit të ligjit është kërcënim për të gjithë.

“Ne duam sundim të ligjit sepse duhet sundim i ligjit. Nuk është zgjedhje është detyrim. Mungesa e tij është kërcënim për të gjithë, me këtë kërcënim më së shumti po ballafaqohen bashkëqytetarët në katër komunat në veri të vendit tonë. Presionet dhe sulmet ndaj tyre nga bandat kriminale janë vetëdëshmi se cka prodhon mungesa e sundimit të ligjit. Problemi i tyre nuk janë vendimet tona, as afatet që parashihen. 1 mijë e 12 vërejtje janë lëshuar deri sot në mëngjes, asnjë incident dhe asnjë ankesë. Se problemi i disa prej serbëve në veri të vendit janë sulmet me bomba, djegia e veturave dhe shtëpive. Trysnitë dhe kërcënimet pa afat nga ata që e kanë problem ligjin. Ata që po urdhërojnë braktisjen e institucioneve janë ata që po u pengon ligjshmëria e kushtetutshmëria. Luftimi i kriminalitetit dhe korrupsionit tek ne. Ne jemi qeveri e përgjegjshme e të gjithëve kundër kriminelëve. E përkushtuar për zhvillim, integrim e barazi për të gjithë e për respektimin e të drejtave të njeriut e pakicave. E shërbim ndaj qytetarëve pa dallim”, ka thënë Kurti.

Më tutje, Kurti ka theksuar se Kosova është shtet demokratik dhe aleate e besueshme e paqes.

“Sundimi i ligjit dhe demokracisë janë garantuesit më të mirë të paqes dhe janë vlera të përbashkëta me partnerët tanë”, ka thënë Kurti, duke u bërë thirrje serbëve në Kosovë që të mos bojkotohen e braktisen institucionet.

“Dua të falënderojë bashkëqytetarët tanë serbë në ruajtjen e qetësisë, paqes dhe sigurisë”, ka deklaruar Kurti

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Liga Unike filloi edhe zyrtarisht. Flamurtari në ndeshjen e parë…