Kurti: Banimi social ofron mundësi për zhvillimin e komuniteteve të reja

27 janar 2022 | 12:11

“Banimi social është infrastrukturë kritike për të ngritur mirëqenien dhe sigurinë e qytetarëve, për barazi sociale e për të fuqizuar e zhvilluar komunitetet”, ka thënë kryeministri Albin Kurti, në hapje të tryezës së rrumbullakët për Programin e banimit adekuat social për Kosovë.

“Funksioni i banimit social shkon përtej strehimit të njerëzve në nevojë, sigurimit të banimit të përballueshëm për komunitetet me të ardhura më të ulëta dhe përmirësimin e mirëqenies së tyre të përgjithshme”, ka thënë kryeministri Kurti.

Ai ka theksuar se kur projektohet në përputhje me principet e ekonomisë qarkore, duke integruar elementet sociale dhe ato ekologjike, banimi social ofron mundësi për zhvillimin e komuniteteve të reja e të qëndrueshme, mundësi për inovacion social, zhvillimin e bizneseve lokale dhe promovimin e praktikave qarkore, si të prodhimit, ashtu edhe të konsumit.

“Është detyrë e jona që në një të ardhme të afërt të krijojmë mundësi për çdo qytetar që ka nevojë, të ketë qasje në shtëpi të sigurt e me cilësi të mirë, me kushtet për jetë të dinjitetshme, zhvillim personal e profesional. Përtej sigurimit të infrastrukturës fizike, programi i banimit do të përcaktojë edhe rrugën tonë të përbashkët drejt qëndrueshmërisë shoqërore, ekonomike dhe mjedisore”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se qeveria është duke punuar në këtë drejtim dhe programi i banimit social parashihet edhe në Programin e Qeverisë së Republikës së Kosovës 2021-2025.

Kryeministri ka theksuar se brenda mandatit synojnë të krijojnë programin për banim social, që do të mundësojë banim të përballueshëm për 4 mijë familje.

Në këtë tryezë u prezantua dhe diskutua koncept propozimi për Programin e Banimit Adekuat Social për Kosovë, që do të kontribuojë në lëvizjen drejt zbatimit të reformave të nevojshme për zhvillimin e sektorit të banimit, formulimin e politikave dhe ofrimin e banimit social për qytetarët që kanë nevojë për mbështetje.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka kritikuar…