
Kurti bëri homazhe pranë varrit të heroit Bahri Fazliu
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, dhe deputetë të Kuvendit, bëri homazhe të mërkurën pranë varrit të heroit Bahri Fazliu, në varrezat e dëshmorëve në lagjen Velania.
Duke kujtuar dhe nderuar figurën e tij, kryeministri Kurti tha se Fazliu, është një shembull i luftëtarit çlirimtar edhe para luftës çlirimtare.
“Bashkë më anëtarët e familjes së respektuar Fazliu, e cila i dha dy dëshmorë të kombit dhe aq shumë kontribut për çlirimin, dhe me kolegë nga Qeveria e Republikës e Kuvendi i Kosovës, erdhëm sot në 27-vjetorin e rënies heroike të Bahri Fazliut, të bëjmë homazhe bashkë. Sepse Bahri Fazliu, është shembull i luftëtarit çlirimtar edhe para luftës çlirimtare. Kemi pasur shumë veprimtarë të cilët e kanë përgatitur luftën, e në mesin e tyre ndër më të shquarit është Bahri Fazliu, që mbante pseudonimin ‘Gëzimi’. Shkrimet e tij analitike, poezitë e tij romantike, atdhedashuria e tij e pafund dhe aksionet e betejat në të cilat mori pjesë, padyshim që e bëjnë atë një shembull të gjallë jo vetëm për brezin tonë, por edhe për gjeneratat që do të vijnë, se si duhet atdheu, si punohet për çlirim, si luftohet për bashkim. Lavdi Bahri Fazliut ‘Gëzimit’, dhe të gjithë dëshmorëve të kombit shqiptar”, ka theksuar kryeministri Kurti.