
Kurti: Bujar Bukoshi ishte i guximshëm në çdo situatë, historianët do ta studiojnë veprimtarinë e tij
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në mbledhjen komemorative për ish-kryeministrin e vendit, Bujar Bukoshi, i cili ka ndërruar jetë të martën, ka thënë se ai ishte “i guximshëm në çdo situatë”.
“Bujar Bukoshi ishte kryeministri i parë dhe i fundit i Republikës së parë të Kosovës”, ka thënë Kurti, duke përshkruar angazhimin e tij maksimal “për t’i njohur kancelaritë evropiane dhe amerikane me shtypjen politike dhe shkeljet e ashpra të të drejtave të njeriut” në Kosovë.
Ndërsa qëndronte në Gjermani, Kurti ka thënë se Bukoshi takonte përfaqësues të ndryshëm politikë “vetëm për ta shtyrë përpara çështjen e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar”.
Komunikimi i tij me diplomatët e gazetarët gjermanë, Kurti ka thënë se ishte “shembull”.
“Bujar Bukoshi ishte mbështetës i rezistencës paqësore, por me raste edhe kritik i saj. Siç ishte edhe mbështetës i kryengritjes së armatosur, por nganjëherë, gjithashtu edhe kritik i saj. Ai ishte i guximshëm në çdo situatë. Kurajoz në politikbërje, realist në qëndrime dhe adhurues i veprimeve”, ka thënë ai.
Kurti ka kujtuar se Bukoshi ishte ndër protagonistët kryesorë të zhvillimeve politike e historike të viteve të ’90-ta, për të cilin tha se “historianët do të gjurmojnë dhe studiojnë”.
“Teksa vitet kalojnë, ne fitojmë pozicione pikëpamjesh të reja për zhvillimet e mëhershme politike dhe historike edhe të viteve të ’90-a, kur Bukoshi ishte ndër protagonistët kryesorë. Ndër rrjedhën e pandërprerë të kohës, historianët do të gjurmojnë dhe studiojnë angazhimin dhe veprimtarinë e Bujar Bukoshit kur do të shkruajnë historinë moderne politike të Kosovës. E në të emri i tij do të jetë natyrshëm ndër më të përmendurit, më të spikaturit për veprën e tij që duhet vendosur saktë në kontekstin e kohës dhe interpretuar nga rrethanat e asaj periudhe”, ka thënë ai.
Kurti ka uruar që në të ardhmen të vijë një biografi për jetën dhe veprën e Bukoshit.
“Uroj që një ditë jo të largët, dikush nga historianët dhe studiuesit të na shërbejë në publik me ndonjë biografi për jetën dhe aktivizmin e doktorit politikan dhe të kirurgut kryeministër, Bujar Bukoshit”, ka thënë Kurti.