Kurti deklarohet për herë të parë për falsfikimin masiv të votave
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se komisionerët dhe individët që janë përfshirë në manipulim të votave duhet të dënohen.
Në reagimin e parë për këtë çështje, Kurti deklaroi se kjo u bë në “mënyrë klandestine” nga komisionerët brenda subjekteve politike.
“Komisionerë e individë që në mënyrë klandestine janë përfshirë në manipulime votash brenda subjekteve politike duke dëmtuar kolegë e subjekte politike nuk kanë amnisti. I inkurajojmë institucionet përgjegjëse që hetimet të shkojnë deri në fund”.
Ai tha se partia e tij, Lëvizja VETËVENDOSJE!, ka qenë “gjithnjë gardiane e ruajtjes së vullnetit politik të shprehur përmes votës në kuti të votimit dhe ashtu do të qëndrojë përherë”.
“Republika e Kosovës është shembull i demokracisë në rajon dhe i proceseve zgjedhore. Adresimi përmes ligjit dhe llogaridhënies për rastet e dyshimeve të manipulimeve brenda subjekteve politike, është i domosdoshem për integritetin e procesit. Vullneti i qytetarëve është i shenjtë, vota është e lirë, dhe kjo do të garantohet deri në fund. Dyshimet duhet të hetohen, manipuluesit duhet të ndëshkohen, këto raste nuk duhet të na shfaqen kurrë më në të ardhmen”.
Deklarata e Kurtit vjen pas aksionit të djeshëm të Prokurorisë e policisë në Prizren nga i cili 109 persona u ndaluan për falsifikim votash.
Kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu, dje në konferencën për media pas aksionit tha se ky manipulim votash nuk ka mundur të ndodhë pa ujdi mes partive të mëdha.
“Do të kishte qenë e pamundur që këto vota të ndryshoheshin nëse nuk do të kishte pasur kompromis nga komisionerët për ta bërë këtë nga të katër partitë më të mëdha”, tha Kryeziu.



