Kurti dhe arroganca ndaj shtetit

04 mars 2025 | 20:44

Shkruan: Hisen Berisha, deputet i Kuvendit të Kosovës 

Refuzimi i kryeministrit Albin Kurti për të zbatuar urdhrin e Gjykatës Themelore për paraqitje në Prokurorinë Speciale lidhur me hetimin mbi keqpërdorimin e rezervave shtetërore përbën një precedent të rrezikshëm për sundimin e ligjit dhe funksionimin e institucioneve demokratike në vend.
Me këtë akt, ai dërgon mesazh të qartë se pushteti i tij është mbi ligjin, duke rrezikuar të krijojë një kulturë të pandëshkueshmërisë për ata që mbajnë pushtetin dhe duke minuar besimin e qytetarëve në drejtësi.

Në vend që të bashkëpunojë me organet e drejtësisë dhe të sqarojë akuzat, Kurti ka zgjedhur të sfidojë gjyqësorin dhe, për më tepër, të sulmojë median.
Në vend që ta shohë median si një institucion kyç në demokraci, ai e trajton si një armik politik, duke përçmuar dhe delegjitimuar çdo zë kritik ndaj qeverisjes së tij.
Kjo qasje është një përpjekje për të kontrolluar narrativën publike dhe për të shmangur llogaridhënien, një karakteristikë tipike e regjimeve autoritare.

Ky qëndrim sfidues ndaj institucioneve të Kosovës nuk është i rastësishëm, por vjen si pasojë e një krize të thellë identiteti politik dhe historik.
As Kurti dhe as soji i tij politik nuk kanë asnjë kontribut në vlerat që formësuan shtetin e Kosovës si, lufta për liri, diplomacia, pavarësisë apo ndërtimi i institucioneve shtetërore.
Ky deficit patriotik është shndërruar në një urrejtje të hapur ndaj çdo strukture shtetërore që ai nuk e kontrollon ose nuk ka kontribut në ndërtimin e tyre.

Imagjinoni sikur në vend të Kurtit, në këtë situatë të ndodhej ndonjëri nga komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, një nga figurat kyçe të luftës për liri. A do të sillej ai me këtë arrogancë ndaj institucioneve?

Po sikur Kurti, në këtë situatë të kishte kreditë e ndonjërit nga komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndonjërit nga figurat kyçe të luftës për liri. Deri ku do të shkonte arroganca e tij ndaj institucioneve?

Për fatin e mirë të Kosovës dhe për të keqin e tij personal, Kurti nuk ka mundësi të vihet në këtë pozitë, sepse në kohën kur duhej të rreshtohej në front për liri, ai pranoi të dorëzohej dhe të zhburrnohej në burgjet serbe si rob civil i luftës.

Duke refuzuar t’i bindet institucioneve shtetërore dhe duke sulmuar median, Kurti jo vetëm që po dëmton funksionimin demokratik të Kosovës, por po e dobëson edhe pozicionin e saj ndërkombëtar. Në një kohë kur dilemat e sigurisë në Evropë janë më të mëdha se kurrë, Kosova nuk mund të përballojë një krizë të brendshme institucionale-demokratike. Nëse sundimi i ligjit minohet nga vetë ata që duhet ta mbrojnë, atëherë aleatët ndërkombëtarë do ta shohin Kosovën si një shtet të dobët e të paqëndrueshëm.

Sot, parametrat e sigurisë nacionale përcaktohen mbi interesa dhe fuqinë e institucioneve shtetërore. Kosova, si një vend që ende po konsolidon shtetësinë e saj, nuk mund të lejojë që institucioni më i lartë ekzekutiv të sfidojë drejtësinë dhe të përçmojë lirinë e shtypit.
Nëse ky model qeverisës vazhdon, atëherë vendi rrezikon të mbetet jashtë procesit të konsolidimit demokratik, ekonomik dhe të sigurisë, duke u bërë një shtet i izoluar e i manipulueshëm.

Refuzimi i Kryeministrit për t’u paraqitur në Prokurori, fyerja ndaj mediave dhe përbuzja ndaj institucioneve të drejtësisë janë sinjale të qarta të një pushteti që nuk respekton as shtetin dhe as ligjin. Dhe një lider që nuk e respekton shtetin, nuk mund të jetë ndërtues i tij.

Shteti i Kosovës nuk mund të mbetet peng i një njeriu dhe i krizës së tij të identitetit. Për ta mbrojtur të ardhmen e shtetit, institucionet duhet të tregojnë forcën e tyre dhe të mos lejojnë që precedentë të tillë të bëhen normë. Askush, përfshirë kryeministrin, nuk mund të jetë mbi ligjin.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Apartamentet me qira janë të shtrenjta në qytetet zvicerane dhe…