Kurti dhe Konjufca takojnë zyrtarët e BE-së
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti së bashku me shefin e grupit parlamentar të kësaj partie, Glauk Konjufcën janë takuar me zyrtarët e Bashkimit Europian në Kosovë.
Të mërkurën Albin Kurti dhe Glauk Konjufca janë parë duke hyrë në zyrën e BE-së në Kosovë ku janë takuar me zyrtarë të këtij institucioni.
Këtë e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Lëvizjes Vetëvendosjes, Tinka Kurti.
Sipas saj, temë diskutimi ka qenë kontrata e Qeverisë me kompaninë Contour Global për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”
“Takimi është mbajtur me zyrtarë të BE-së për çështje ekonomike dhe te energjisë dhe ka pasur për fokus temën e kontratës së Qeveri me kompaninë Contour Global”, ka thënë Tinka Kurti për KALLXO.com.
Albin Kurti edhe në njërën nga seancat e Kuvendit të Kosovës ka folur për kontratën 2 miliardshe të Qeverisë me kompaninë Contour Global.
Marrëveshja financiare për Termocentralin e ri duhet të kalojë në Kuvend si marrëveshje ndërkombëtare. Për miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare duhen 2/3 e votave të deputetëve.