
Kurti dhe Lawler diskutojnë për thellimin e partneritetit mes Kosovës dhe ShBA-së
Në Nju-Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka takuar kongresistin amerikan nga radhët e Partisë Republikane, Mike Lawler, njëherësh anëtar i Komitetit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Qeveria e Kosovës, ka njoftuar se diskutuan për mënyrat se si të thellohet partneriteti ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me theks të veçantë te bashkëpunimi ekonomik, investimet e huaja direkte dhe shkëmbimet tregtare, si dhe për rolin e rëndësishëm të diasporës sonë në këtë drejtim.
Kryeministri Kurti e njoftoi kongresistin për zhvillimet e fundit në vend dhe progresin e arritur vitet e fundit në ekonomi, demokraci, siguri dhe sundimin e ligjit.
Gjithashtu diskutuan edhe për rreziqet dhe sfidat e ndikimit rus në Evropë dhe në Ballkanin Perëndimor.
Kongresmeni Lawler, në këtë takim, e informoi kryeministrin Kurti për vendimin e tij për t’iu bashkuar Kaukusit të Çështjeve Shqiptare në Kongresin Amerikan.