Kurti do “Kurti 3” por jo me koalicione: Nuk po e shoh se si është e mundshme bashkëqeverisja
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se atij dhe partisë që udhëheq ai i duhet një fitore mbi 50% në zgjedhjet e nesërme.
Kështu ka deklaruar ai gjatë një interviste në RTK, ku ka shtuar edhe se, sipas Kurtit, vetëm me një legjitimitet të tillë LVV mund të ndërmarrë vendimet e nevojshme për siguri, begati dhe zhvillim ekonomik, pa pengesa politike dhe burokratike.
Kreu i LVV-së, Albin Kurti, ka folur për mundësinë e bashkëpunimit me partitë tjera politike, por ka theksuar se aktualisht i duhet një fitore mbi 50%.
“Me gjithë intoksikimin e atmosferës, unë nuk po e shoh se si është e mundshme bashkëqeverisja. Në anën tjetër, nëse nuk kemi qeveri edhe për dy muaj si qeveri në detyrë, me vetëm një të 12-in e buxhetit, mund të kemi buxhet. Por në mars ngelim pa asgjë, duke shtuar faktin se më 4 mars është afati kur duhet të zgjidhet ose rizgjidhet presidenti. Ne kemi obligim për bashkëpunim, sidomos në fazat e mëvonshme, mirëpo tani na duhet fitore mbi 50% që të ecim mbarë, mirë dhe shpejt.”
Kurti ka përmendur gjithashtu shembullin e formimit të qeverisë pas zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021, kur LVV ishte fituesi i qartë dhe qeveria u formua shpejt.



