Kurti: Duhet ta sjellim programin qeveritar dhe më pas ta bëjmë rishkimin e buxhetit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në fjalën e tij nga foltorja e Kuvendit ku po mbahet seanca e jashtëzakonshme, ka thënë se rishikimi i buxhetit nuk mund të bëhet pa prezantuar planin e programit qeverisë.
“Ashtu siç e parasheh Ligji për financat publike, brenda vitit 2025, saktësisht më 31 tetor 2025, në mbledhjen e qeverisë ne e patëm miratuar buxhetin për vitin 2026, i cili është dashur të diskutohej dhe aprovohej në nëntor dhe dhjetor të vitit që lamë pas. Por, siç e dimë, legjislatura e nëntë përfundoi ashtu si përfundoi; patëm zgjedhje të parakohshme, të lira, të ndershme dhe demokratike. Tash kemi qeveri të re, andaj do të mbajmë një mbledhje të re të qeverisë në mënyrë që ta sjellim buxhetin e vitit 2026 tek ju, por ai nuk mund të rrijë ashtu siç është, për shkak të përbërjes së re të Kuvendit dhe qeverisë së re. Zotimet që i kemi dhënë në fushatën e fundit, natyrisht që janë të përmbledhura në ekspozenë që kam bërë më 11 shkurt, kur u rizgjodha kryeministër. Por, para se ajo ekspoze të shndërrohet në buxhet të ri, duhet të vijë tek ju programi qeveritar. Pra, do të ishte jo normale të sillnim buxhet në përputhje me ekspozenë pa e sjellë paraprakisht programin qeveritar. Rendi logjik i gjërave, nga kronologjia, është ky: zotimet në fushatë, ekspozeja e kandidatit për kryeministër, programi i ri qeveritar dhe më pas rishikimi i buxhetit”, ka thënë ai.
E një risi e buxhetit, ai ka thënë se është paga e 13-të për sektorin publik. “Në këtë buxhet që kemi prezantuar, natyrisht që kryefjala është shifra prej afër 4 miliardë euro, ku një e katërta, apo rreth 1 miliard euro, janë buxhetuar për investime kapitale. Normalisht, risi, por tashmë e paralajmëruar e këtij buxheti është paga e 13-të e sektorit publik, dhe kjo sivjet nuk do të jetë në fund të vitit, por në pranverë”, ka thënë Kurti.



