Kurti e Haradinaj nuk kanë pasur guxim të marrin përgjegjësi për dialogun

11 maj 2020 | 21:15

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se PDK-ja është kundër shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka mohuar që kjo të jetë edhe agjenda e presidentit Thaçi sikundër në vijimësi është akuzuar nga Kurti dhe Haradinaj.

Këta të fundit, sipas tij, i kanë fryrë fort kësaj teze pasi kanë dashur t’i ikin dialogut me Serbinë dhe të mos marrin përgjegjësi.

“Ne si PDK kemi qenë të qartë, shkëmbimi territorial nuk është një zgjidhje. Në 2020 kjo nuk është agjendë as e presidentit Thaçi dhe e askujt në Kosovë. Por të gjithë ata që i frikësohen dialogut, nuk kanë pasur guxim të marrin përgjegjësi për dialog, qoftë aktualisht kryeministri Kurti apo në të kaluarën kryeministri Haradinaj, me pretekstin se epilogu mund të jetë kjo, kanë bërë përpjekje t’i ikin dialogut. Qasja jonë është që ne do të duhet të dialogojmë me Serbinë, do të duhet të negociojmë më të mirën e mundshme për Kosovën, të shohim cili do të jetë rezultati final i marrëveshjes dhe pastaj i takon Kuvendit të Kosovës t’i thotë po apo jo një marrëveshje të tillë. Por promovimi i frikës si politikë në raport me dialogun e ka dëmtuar shumë Kosovën”, ka deklaruar Hoxhaj, në Rtv Ora.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka ndërmarrë javët…