Kurti e konfirmon listën e masave të BE-së: Kemi qenë kritikë, por jo të hidhëruar

29 qershor 2023 | 11:40

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë ka folur për listën e masave kundër Kosovës që janë prezantuar nga Komisioni Evropian.

Ai në hyrje të mbledhjes së Qeverisë së Kosovës e ka konfirmuar se kundër Kosovës është prezantuar një pako e masave, raporton Ekonomia Online.

Kurti para ministrave ka thënë se “me raste kemi qenë kritik ndaj Bashkimit Evropian”, por sipas tij, asnjëherë nuk janë treguar “as cinik e as të hidhëruar”.

Ai tutje ka thënë se kur në dhjetor ishte paraqitur aplikimi për anëtarësimin në BE ishte bërë me mendimin se Kosova meriton të jetë pjesë e saj.

“Komisioni Evropian dje ka prezantuar para Parlamentit Evropian një listë të masave kundër Kosovës. Bashkimi Evropian tek Kosova e gjen partnerin dhe aleatin më të sinqertë dhe të qëndrueshëm të vlerave evropiane, parimeve demokratike dhe interesave afatgjate”.

“Kosova të tillë e ka Qeverinë, të tillë e ka popullin, së pari popullin e pastaj Qeverinë. Me raste kemi qenë kritik ndaj Bashkimit Evropian por asnjëherë as cinik e as të hidhëruar nuk jemi as sot”.

“Kur në dhjetor e kemi dorëzuar aplikimin tonë për anëtarësim atë e bëmë duke besuar se meritojmë që në një të ardhme të parashikueshme të jemi pjesë e këtij unioni. Të njëjtin besim e kemi edhe sot”.

Drejtori i përgjithshëm për zgjerim i Komisionit Evropian, Jan Koopman ka bërë me dije se Bashkimi Evropian gjatë kësaj jave ka paralajmëruar se do të komunikojë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat blloku i ka përgatitur për shkak të mosndërmarrjes së hapave që janë kërkuar për të ulur tensionet në veri të Kosovës.

Ai tha se këto masa “nuk janë marrë me lehtësi” dhe se ato janë të kthyeshme në rast se merren hapat e duhur drejt shtensionimit të situatës.

Ai së bashku me të dërguarin e bllokut evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, kanë marrë pjesë në debatin në Komisionin për politikë të jashtme të Parlamentit Evropian.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria çeke tha se ka ndaluar të gjithë atletët që…