Kurti e lidh heqjen e TVSH-së dhe akcizës me fitimin e zgjedhjeve: Nuk e kam bërë asnjërën e kam fitu veç ma shumë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se nuk është hera e parë që i kërkohet heqja e TVSH-së apo akcizës, pas rritjes së çmimit të naftës.
Megjithatë, ai në seancën e Kuvendit të Kosovës tha se ndonëse nuk e ka bërë asnjërën, ka fituar më shumë në zgjedhje.
“Në këtë seancë, nuk jeni as 1/3 e deputetëve sa i ka Kuvendi, nuk jeni as 40 prej 120, edhe unë jam me një ministre, por besoj që edhe ashtu e keni vërejtur, ndonëse janë më pak, prap janë më shumë se ju.
Më tej, ju thatë që po më jepni këshilla, tash këtu janë dy probleme, problem i parë është se kur thatë që po më jepni këshilla, ju tashmë jeni të gatshëm që këshilla mund të mos merret në konsideratë për t’u zbatuar, sepse është veçse këshillë. Unë nuk ju kam juve këshilltare, unë këshilltarët i kam të tjerë.
Nuk është hera e parë që e kërkoni këtë gjë prej qeverisë sonë, jam kryeministër për herë të tretë, gjithmonë keni kërkuar herë hiqe akcizën, herë TVSH-në, nuk e kom bo asnjërën, kom fitu veç ma shumë, a po kuptoni.
Pra edhe populli nuk është për atë që po më këshilloni, dhe unë përfaqësoj një politikë tjetër” – tha ai.



