Kurti e Pacolli urojnë besimtarët ortodoksë për festën e Pashkëve

08 prill 2018 | 18:41

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka uruar besimtarët ortodoksë me rastin e festës së Pashkëve.

Kurti ka thënë se ortodoksia shqiptare i ka dhënë kombit shumëçka. “Me rastin e pashkëve ortodokse dëshiroj t’ua uroj këtë festë të rëndësishme fetare gjithë shqiptarëve ortodoksë, e po ashtu edhe gjithë besimtarëve ortodoksë të minoriteteve të ndryshme etnike, që jetojnë me ne e midis nesh në Kosovë, Shqipëri e në viset e tjera ku jemi shumicë. Ortodoksia shqiptare i ka dhënë kombit shumëçka, në bashkëpunim të ngushtë e vëllazëror me komunitetet e tjera, të shqiptarëve myslimanë, atyre katolikë, si dhe të atyre që nuk ndjekin ndonjë fe. Andaj me zemrën plot e vëllazërisht ju uroj një Pashkë të gëzuar, mbarësi e mirësi, e për shumë mote!”, ka shkruar Kurti në llogarinë e vet në “Facebook”.

Edhe zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Behgjet Pacolli, nëpërmjet llogarisë së vet në “Facebook”, ka uruar besimtarët ortodoksë për festën e Pashkëve.

“Diversiteti, bashkëjetesa dhe harmonia ndër-fetare janë vlera të çmuara, virtyte të veçanta dhe thesar i madh shpirtëror i të gjithë shqiptarëve. Përderisa besimtarët ortodoks kremtojnë festën e Pashkëve, shfrytëzoj këtë rast për t’i përcjellë urimet më të përzemërta me lutjen që në familjet e tyre të mbretërojë harmonia, dashuria, respekti dhe begatia. Gëzuar për shumë vjet Pashkët!”, ka shkruar Pacolli.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zyra e Jashtme e Pakistanit ka thirrur në bisedë ambasadorin…