
Kurti falënderon ekipet për gjetjen e trupit të Rrahim Latifit, i shpreh ngushëllime familjes
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka bërë të ditur në pasditen e së martës se është gjetur trupi i pajetë i një 33-vjeçari në Liqenin e Ujmanit, i cili kishte kërcyer në të dy ditë më parë.
Ujmani gjendet në Zubin Potok, një nga katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka falënderuar institucionet dhe ekipet që morën pjesë në operacionin e kërkim-shpëtimit.
Në një deklaratë publike, Kurti shprehu mirënjohje për Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, Forcën e Sigurisë së Kosovës, Policinë e Kosovës, Shoqatën e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim, Klubin e Zhytjes “Trepça” dhe KFOR-in për punën profesionale, përkushtimin e jashtëzakonshëm dhe angazhimin e pareshtur deri në përfundimin me sukses të operacionit.
“Familjes Latifi i shprehim ngushëllimet më të përzemërta dhe ju qëndrojmë pranë në këto momente të vështira për të ofruar gjithë mbështetjen tonë e për të ndarë me ta dhimbjen e madhe,” tha Kurti.