Kurti: Fëmijët dhe pensionistët do të përfitojnë shtesa prej 100 eurosh për fundvit
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë me dije se pas fitores së bindshme më 28 dhjetor, fëmijët dhe pensionistët do të përfitojnë shtesa fundviti prej 100 eurosh.
“Me 28 dhjetor fitojmë bindshëm dhe festojmë, pastaj me 29 dhjetor gëzohen të gjithë fëmijët e pensionistët. Sepse me fitoren tonë, Viti i Ri vjen më herët”.
“Sikurse çdo vit, edhe sivjet kemi vendosur të mbështesim fëmijët dhe pensionistët me shtesat e fundvitit prej 100 eurove. Mosvotimi i buxhetit nga opozita na e ka vështirësuar punën tejmase, mirëpo ne e kemi bërë të pamundurën që edhe këtë vit të sigurojmë mbështetjen e fundvitit, e cila do të procedohet para natës së Vitit të Ri. Urime festat e fundvitit, dhe t’i gëzoni bashkë me familjet tuaja!”, ka shkruar Kurti në Facebook.



