
Kurti: FSK-ja po bëhet ushtri profesionale drejt NATO-s
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në ceremoninë e diplomimit të gjeneratës 2025 të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka potencuar ardhmërinë evropiane për të cilën do të shërbejnë kadetët e rinj.
“Ushtria jonë po ecën me hapa të shpejtë drejt zhvillimit, me kapacitete të plota si ushtri profesionale, me ushtarakë të përgatitur e të pathyeshëm për sovranitet shtetëror e integritet territorial, për paqe për mbarë shoqërinë, për siguri për qytetarët”, ka thënë Kurti.
Ai ka përmendur që janë investuar mbi 300 milionë euro në mbrojtje gjatë katër viteve të fundit dhe rekrutimin e mbi 2700 ushtarëve e oficerëve të rinj.
“Ju jeni shtylla mbi të cilën do të vazhdon ndërtimi strukturor e profesional i FSK-së dhe që do ta shoqërojë etapën e ushtrisë sonë drejt shërbimit në aleancën veri atlantike demokratike të NATO-s. Kosova në aspektin gjeografik, ideor, politik e vleror është Evropë, andaj pa shmangshëm, jo vetëm i nevojshëm, është anëtarësimi në familjen evropiane demokratike”, ka shtuar Kurti.
Diplomimi i gjeneratës 2025 korrespondon me 20-vjetorin e themelimit të Qendrës për Studime Universitare, prej së cilës kanë dalë qindra oficerë ushtarakë.
Këta kadetë kanë diplomuar duke u trajnuar me modulin arsimor e stërvitor sipas doktrinës së ushtrisë amerikane dhe NATO-s.