Kurti: Gjithmonë i kemi respektuar aktgjykimet e Kushtetueses

18 gusht 2025 | 13:23

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka ngritur dyshime për vonesën në publikimin e aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, duke sugjeruar se kjo situatë mund të jetë më e komplikuar sesa duket.

Në një deklaratë për mediet pas pjesëmarrjes në Seminarin e Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare, Kurti ka thënë se gjithmonë ka respektuar vendimet e Kushtetueses, por sipas tij ‘kësaj here gjërat po marrin një tjetër kahje’.

“Nuk ka asnjë aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese që Qeveria e Kosovës me mua si kryeministër nuk e ka respektuar. Dhe nuk ka asnjë aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, të cilin edhe unë si kryetar i LV-së, nuk e kam respektuar. Por, kur më pyesin sërish a do ta respektoj aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese kjo më bën të mendoj që do të jetë i pazakonshëm, i padrejtë, i padurueshëm, saqë ndoshta duhet ta konsiderojmë se çfarë duhet të bëjmë”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se vonesa në publikimin e aktgjykimit të plotë, ndryshe nga rasti i 26 qershorit, kur gjithçka ishte publikuar në të njëjtën ditë – ngre dyshime për mospërputhje dhe zbulon një precedent shqetësues në qasjen e Gjykatës.

“Edhe një herë po e ritheksoj që ne gjithmonë i kemi respektuar aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, por kësaj radhe për dallim nga 26 qershori e kemi vetëm njoftimin e Gjykatës Kushtetuese dhe e kemi aktgjykimin e plotë, i cili po vonohet, të cilin duhet ta lexojmë në tërësinë e tij. Më 26 qershor e kemi pasur në të njëjtën ditë njoftimin edhe aktgjykimin. Tash më 8 gusht e patëm njoftimin, por ja që ende nuk e kemi aktgjykimin. Kur ta lexojmë atë do ta themi vlerësimin tonë meritor. Por nuk është mirë që kemi këtë vonesë, por në bazë të njoftimit, në bindjen time, ka mospërputhje mes këtij aktgjykimi në versionin e plotë që jemi duke e pritur dhe 26 qershorit të po kësaj përvoje të Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Fillimisht ajo fluturoi drejt Romës, për t’u lidhur me video…