Kurti: Historia e familjes Qerkezi është plagë dhe kujtesë e përbashkët
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar rrëmbimin e pesë anëtarëve të familjes Qerkezi më 27 mars 1999 në Gjakovë.
Kurti ka shkruar në “Facebook” se historia e familjes Qerkezi mbetet një plagë e hapur dhe një kujtesë e përbashkët për të gjithë.
“Sot jemi në një ditë përkujtimi, mes dhembjes që nuk shuhet dhe kohës që nuk e zbeh atë. Në qendër të këtij kujtimi qëndron ajo që bart dhimbjen e pamatshme personale, e shndërruar në simbol kombëtar, Nëna Ferdonije. Në rrugën ‘Martirët Qerkezi’ në Gjakovë, ku dikur kishte jetë, ku qeshjet mbushnin dhomat, ka heshtje. Heshtje që dëshmon krimet e kryera nga Serbia në Kosovë. Më 27 mars 1999, forcat e armatosura të Serbisë ia rrëmbyen asaj katër djemtë, Artanin, Armendin, Ardianin dhe Edmondin, si dhe bashkëshortin Halimin. Bashkë me ta u zhdukën me dhunë edhe të afërm e fqinjë. Që nga ajo ditë, Nëna Ferdonije përballet me mungesën që nuk mbushet, me pritjen që nuk përfundon. Historia e familjes Qerkezi, është plagë dhe kujtesë e përbashkët”, ka shkruar ai
Kurti ka përmendur edhe krime të tjera të kryera në të njëjtën periudhë në disa zona të Kosovës, përfshirë Pejë, Skenderaj, Mamushë, Obiliq dhe Fushë Kosovë, ku ishin vrarë dhjetëra civilë shqiptarë.
“Po atë ditë marsi të vitit 1999, në Dardaninë e Pejës, brenda pak orësh u vranë 40 civilë shqiptarë, në Klladernicë të Skenderajt u masakruan 75, në Mamushë u vranë 18 martirë, e në Obiliq 10 anëtarët e familjes Rama. Në Fushë Kosovë sot përkujtohen 168 shqiptarë të vrarë. Në këtë përvjetor, ne përkulemi me respekt para kujtimit të të gjithë të vrarëve dhe të zhdukurve me dhunë nga Serbia. Nderojmë sakrificën e popullit tonë, që është themeli mbi të cilin qëndron Republika jonë e lirë”, ka përfunduar Kurti.



