
Kurti i reagon Vuçiqit: Ndërhyrja e Serbisë në zgjedhjet në Kosovë, më e rëndë se ajo e Rusisë në Evropë
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i ka reaguar presidentit serb Aleksandër Vuçiq, i cili ka premtuar 400 vende pune për serbët në Kosovë duke thënë se kjo është ndërhyrje në zgjedhjet e 12 tetorit. Kurti ka thënë se kjo ndërhyrje e Serbisë është edhe më e rëndë se sa ajo e Rusisë në Evropë.
“Nuk kanë si të cilësohen ndryshe përveç ndërhyje në procesin zgjedhor komunal të tetorit në Republikën e Kosovës. Premtimet për vende pune, joshja përmes përfitimit të mbështetjes financiare, kushtëzimi dhe shantazhi me beneficione sociale dhe deklarimet e zyrtarëve shtetëror të Serbisë së vetëm Lista Serbe e mbron Serbinë në Kosovë, siç bëri së fundmi ish kryeministri së Serbisë tash këshilltar i presidentit atje, siç ka bërë edhe vet presidentit Vuçiq janë metoda të përsëritura të ndërhyrjes së Serbisë në procesin zgjedhor në Kosovë”, ka thënë Kurti të martën në mbledhjen e qeverisë.
Në këtë kontekst, Kurti i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që ta dënojë këtë veprim të Beogradit zyrtar i cili po ndërhynë në zgjedhjet demokratike.
“Misioni për vëzhgimin e për zgjedhje e BE-së të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025 kishte evidentuar ndërhyrjen e Serbisë në zgjedhjet tona, ndërhyrjet në zgjedhjet e shteteve tjera janë forma të cenimit të demokracisë dhe sovranitetit të një shteti. Serbia nuk ka pasur asnjë pasojë nga BE-ja andaj Serbia nuk po ndryshon sjellje. Kjo ndërhyrjeje që bënë Serbia tani në zgjedhjet në Kosovë është më e rëndë se ajo e Rusisë në Evropë, i bëjmë thirrje BE-së ta dënojë ndërhyrjen e Beogradit zyrat në zgjedhjet në Kosovë dhe ta sanksionojë Serbinë për veprimet që bien ndesh me parimet e fqinjësisë së mirë”, ka deklaruar Kurti.