Kurti i shpreh ngushëllime familjes Bukoshi

11 qershor 2025 | 13:01

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i ka shprehur ngushëllime familjes Bukoshi, pas  ndarjes nga jetë të ish-kryeministrit Bujar Bukoshi.

Përmes një telegram ngushëllimi, kryeministri ka thënë se angazhimi politik i Bujar Bukoshit dhe i gjeneratës së politikanëve të cilës i përkiste ai, ka një vlerë të veçantë mes brezave modernë të politikëbërësve shqiptarë.

“Dr. Bujar Bukoshi, i ka bërë një vend më vete personalitetit të tij në historinë e re politike të Kosovës, për të cilin do të shkruajnë historianët në studimet e historisë së Kosovës, siç do të shkruajnë edhe për epokën kur ai veproi bashkë me të tjerët”, është shprehur Kurti.

Telegrami i plotë:

E nderuar familje Bukoshi,

Uroj shumë që ky telegram t’ju gjejë të fortë dhe të bashkuar rreth kujtimeve të shumta dhe të mira që ju ka lënë pas familjari juaj, z. Bujar Bukoshi.

Me të vërtetë ishte pikëlluese si për mua ashtu edhe për bashkëpunëtorët dhe anëtarët e kabinetit tim qeveritar, kumtimi i lajmit për vdekjen e dr. Bujar Bukoshit. Një mori kujtimesh dhe episode përvojash m’u rikthyen në mendje veçanërisht nga periudha e viteve ’90 të shekullit të kaluar, kohë kjo kur dr. Bukoshi ishte kryeministër i Republikës së Kosovës.

Si qeveri në ekzil, qeveria e drejtuar nga dr. Bukoshi ishte një qeveri e jashtëzakonshme, por ishte natyrshëm e jashtëzakonshme, meqenëse edhe konteksti i saj historik ishte i ndërtuar nga rrethanat e një kohe krejt të jashtëzakonshme, siç ishte edhe shteti ynë asaj kohe, Republika e Kosovës, si republika e parë dhe si një republikë e rezistencës. Pikërisht për shkak të rrethanave dhe kushteve aq të vështira për të vepruar politikisht në Kosovën e dekadës së mbrame të shekullit XX, angazhimi politik i dr. Bujar Bukoshit dhe i gjeneratës së politikanëve të cilës i përkiste ai, ka një vlerë të veçantë mes brezave modernë të politikëbërësve shqiptarë.

Dr. Bujar Bukoshi, i ka bërë një vend më vete personalitetit të tij në historinë e re politike të Kosovës, për të cilin do të shkruajnë historianët në studimet e historisë së Kosovës, siç do të shkruajnë edhe për epokën kur ai veproi bashkë me të tjerët.

E nderuar familje Bukoshi, ju lutem pranoni nga ana ime ngushëllimet më të ndera për shkuarjen nga kjo jetë të dr. Bujar Bukoshit. Ju pastë lënë shëndetin dhe paçi jetë ta kujtoni ndër breza, siç do ta kujtojë populli i Kosovës për kontributin e tij.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Brazili siguroi matematikisht një vend në Kupën e Botës 2026…