
Kurti i tha “multi-milionerë”, Sami Lushtaku ia kthen: Skenderaj s’bëhet kurrë me ata që Kosovës i sollën vetëm përçarje e sanksione
Sami Lushtaku ia ka “kthyer” brenda ditës akuzat që Albin Kurti ia ka bërë këtij të parit.
Kurti, duke tentuar t’i ndihmojë kandidatit të partisë së tij në Komunën e Skenderajt, ka sulmuar Sami Lushtakun.
Kurti, pa përmendur emrin e tij, iu është referuar Lushtakut si “multi-milioner” dhe ka thënë se është “ish-komandant i cili kënaqet kur i frikësohen njerëzit”.
“Në Skenderaj pushteti aktual nuk ka as program e as ide. Pabarazitë në Skenderaj, me multi-milionerin ish komandant i cili kënaqet kur i frikësohen njerëzit, janë devijim nga sakrifica e madhe e dëshmorëve, martirëve dhe të gjithë kontribuesve për çlirim të Kosovës, liri të popullit dhe shtet të pavarur. Funksionet publike janë për shërbim me përkushtim e jo për pasurim me sundim”, deklaroi Kurti.
Lidhur me këto akuza ka reaguar Lushtaku, i cili e ka quajtur demagog Kurtin dhe ka thënë se Kosovës i solli vetëm përçarje e sanksione nga ndërkombëtarët.
“Skenderaj nuk bëhet kurrë me ata që Kosovës i sollën vetëm përçarje, sanksione ndërkombëtare e prishje me aleatët tanë ndërkombëtarë, ShBA-të e BE-në, me të cilët Hashim Thaçi e Ushtria Çlirimtare e Kosovës krijoi miqësi nga malet e Kosovës në vitin 1998”, deklaroi Lushtaku.
“Skenderaj si gjithmonë demagogëve ju thotë JO!”./Periskopi/