Kurti kërkon angazhim nga BE-ja për anëtarësimin e Kosovës dhe heqjen e masave

14 maj 2025 | 22:03

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa.

Në fillim të takimit, Kurti ka theksuar se Kosova është një vend evropian në vlera, histori dhe kulturë, dhe shprehu angazhimin e plotë të Kosovës për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian.

Kryeministri kërkoi një rol aktiv të presidentit Costa për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Kosovës në BE, duke kërkuar dërgimin e pyetësorit dhe dhënien e statusit të vendit kandidat.

Kurti gjithashtu kërkoi heqjen e menjëhershme dhe të plotë të masave kufizuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, duke theksuar se Kosova ka bërë përparim të dukshëm në sundimin e ligjit, luftimin e korrupsionit, dhe rritjen ekonomike.

Ai përmendi vlerësimet pozitive nga organizatat ndërkombëtare si Freedom House dhe Transparency International, si dhe arritjen e Kosovës për të dorëzuar Agjendën e Reformave të Planit të Rritjes të BE-së.

Në diskutimin për sigurinë rajonale, Kurti ngriti shqetësimin për kërcënimet që vijnë nga Serbia dhe sulmin paramilitar në Banjskë në shtator të vitit 2023. Ai kërkoi që Radoiçiq të dorëzohet para drejtësisë së Kosovës.

Po ashtu, Kurti foli për shkeljen e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, duke theksuar diskriminimin që ata përballen në punësim dhe në përfaqësimin institucional.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Republika e Kosovës do të jetë ndër 18 vendet nikoqire…