
Kurti: Këtë fundjavë do ta kemi lajmin për arritjen ose jo të një marrëveshjeje për institucionet
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se partia e tij ka gatishmëri për të bashkëqeverisur me Nismën Socialdemokrate të Fatmir Limajt, parti së cilës tha se i ka bërë ofertë konkrete.
“Me Limajn kemi zhvilluar një takim pardje. LVV-ja dhe unë kemi shprehur interesimin dhe gadishmërinë për të bashkëqeverisur me Nismën Socialdemokrate dhe në përputhje me këtë unë kam bërë edhe një ofertë konkrete që gjithçka të përmbyllet sa më shpejt e mirë, ta kemi konstitutim të Kuvendit dhe Qeverinë”, tha Kurti gjatë një konference për media në Qeverinë e Kosovës.
Kurti tha se nuk mund të ofrojë hollësi pasi kjo ofertë ende nuk është konkretizuar në marrëveshje, duke theksuar se “nevojitet të vazhdojnë bisedimet dhe vullneti politik”, në mënyrë që të krijohen institucionet e reja.
Kreu i LVV-së, partisë fituese të zgjedhjeve të shkurtit, tha se shpreson që bisedimet me partinë e Limajt të finalizohen gjatë kësaj jave.
“Këtë fundjavë do ta kemi lajmin për marrëveshjen e arritur ose mungesën e saj”, tha ai.