
Kurti: Kodi nuk rregullon martesat mes gjinisë së njëjtë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke iu drejtuar deputetëve të Kuvendit, ka thënë se “regjistrimi i ‘bashkësive civile’ të personave me sekse të njëjta” është pika brenda Projektkodit Civil, “për të cilën ka pasur keqkuptime dhe keqinterpretime”.
Ai ka theksuar se të drejtat e njeriut janë të drejtat e të gjithë njerëzve dhe këtë e thotë edhe Kushtetuta e Kosovës, si dhe praktika e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Ai ka theksuar që te “regjistrimi i bashkësive civile të personave me sekse të njëjta”, në Nenin 1138, është paraparë mundësia që këta persona të mund të regjistrohen si “bashkësi civile”.
“Kodi nuk i ka rregulluar kushtet dhe procedurën për këtë institucion të ri, por vetëm në mënyrë afirmative e ka përcaktuar që në të ardhmen do të rregullohet me ligj të veçantë. Pra, Kodi nuk është i mjaftueshëm. Kjo është në pajtim të plotë edhe me Kushtetutën, e cila nuk lejon asnjë lloj diskriminimi, përfshirë edhe diskriminimin në bazë të gjinisë. Po ashtu më duhet të theksoj që Kodi nuk rregullon martesat ndërmjet personave me sekse të njëjta. Kjo dallon me ‘bashkësinë e regjistruar civile’ ngase kjo e fundit mundëson vetëm bashkëjetesën dhe jo format tjera të funksionit familjar”, ka thënë kryeministri Kurti.