
Kurti konfirmon raportimet në medie: Igor Popoviq ka incizuar ilegalisht bisedat në Bruksel
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se Serbia po bën përpjekje të vazhdueshme për të destabilizuar Kosovën, por tha se institucionet e inteligjencës e sigurisë të vendit po i kundërvihen me sukses.
Në këtë drejtim, ai ka thënë se hyjnë edhe arrestimet e fundit nga organet e rendit, përfshirë arrestimin e Igor Popoviq, ndihmësdrejtor në të ashtuquajturën Zyra për Kosovë në qeverinë e Serbisë, i arrestuar më datë 18 korrik për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit ndëretnik.
Kurti ka thënë se institucionet kosovare kanë siguruar dëshmi se jashtëligjshëm Popoviqi ka incizuar bisedat në një nga takimet në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë.
“Institucionet tona kanë siguruar dëshmi për lidhjet e tij me Agjencinë për Siguri dhe Informim (BIA) dhe ushtrimin e aktiviteteve në dobi të saj. Ndër to përfshihet edhe incizimi ilegal i bisedave të datës 17 shtator 2020 të cilat janë zhvilluar në Bruksel në objektin e Bashkimit Evropian në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Pastaj, përpjekje për pengim dhe sabotim të drejtësisë dhe aktivitete të tjera që cenojnë sigurinë kombëtare të vendit tonë. Pra, rasti i fundit ku dëshmohet audioincizimi ilegal dhe i fshehtë i bisedave është rast jashtëzakonisht serioz që shpërfaq në një formë që s’e kemi hasur më herët qasjen sistematike, destruktive, sabotuese në raport me palët, ndërmjetësuesin dhe vetë procesin e ndërmjetësuar nga Brukseli”, ka thënë Kurti në mbledhjen e qeverisë.
Popoviqi është ndaluat më 18 korrik, pasi gjatë një tubimi në Rahovec e kishte quajtur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) “organizatë terroriste”.