Kurti, kongresistëve amerikanë: Kosova synon thellimin e partneritetit me ShBA-në dhe NATO-n
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim kongresistët amerikanë, Keith Self dhe Suhas Subramanyam.
Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, nga temat kryesore që janë diskutuar kanë qenë mbrojtja, përkatësisht paqja dhe siguria në rajon.
“Ai e falënderoi delegacionin për përkrahjen për anëtarësim në NATO, në veçanti për Rezolutat 1246 dhe 1250 të Dhomës së Përfaqësuesve, të cilat mbështesin aspiratat e Republikës së Kosovës për t’u bërë pjesë e Aleancës Veri-Atlantike dhe bëjnë thirrje që forcat amerikane të vazhdojnë të kontribuojnë në kuadër të KFOR-it”, ka njoftuar zyra e kryeministrit.
Në njoftim lshtë thënë se Kurti e ka vënë theksin edhe te përputhshmëria në politikën e jashtme.
“Po ashtu, ai diskutoi për investimet e Kosovës në mbrojtje dhe për tema të tjera, si zhvillimi i teknologjisë në vend, ku foli për rritjen e bashkëpunimit ekonomik në këtë fushë dhe në tregti në përgjithësi, si dhe për reformat në fushën e arsimit”, është thënë në njoftim.
Para Prishtinës, kongresistët kanë zhvilluar vizitë në Luginën e Preshevës, me ç’rast sipas njoftimit, Kurti ka thënë se duhet të ketë të drejta të krahasueshme për pakicat në të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor.



