
Kurti: Kosova ndër vendet më të sigurta, tregues i forcës së institucioneve
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka reaguar pas publikimit të ‘Global Safety Report 2025’ nga Instituti Gallup, ku Kosova është renditur e para në Evropë në Indeksin e Ligjit dhe Rendit, si dhe e treta në botë për ecje vetëm gjatë natës.
Përmes një postimi në platformën X, Kurti tha se ky është një tregues i madh se qytetarët e Kosovës po e gëzojnë njërën prej të drejtave më të rëndësishme – sigurinë. Ai theksoi se vendi ynë është renditur edhe në mesin e dhjetë vendeve më të sigurta në botë për ecje vetëm gjatë natës.
“Ky është një tregues i madh se qytetarët tanë po e gëzojnë një nga të drejtat më të rëndësishme, dhe reflekton forcën e institucioneve tona”, shkroi Kurti në platformën X.
Indeksi i organizatës amerikane Gallup mat perceptimin e qytetarëve lidhur me sigurinë e tyre personale, besimin që kanë te policia dhe gjasat për të qenë viktimë e krimeve të dhunshme ose vjedhjeve. Pikërisht në këta tregues, Kosova ka shënuar progres të jashtëzakonshëm, duke tejkaluar shumicën e vendeve të Evropës dhe botës.
Ky vlerësim pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në përforcimin e imazhit të Kosovës si një vend i sigurt për të jetuar, për të vizituar dhe për të investuar.