Kurti: Kosova po kontribuon për paqe të qëndrueshme në rajon dhe botë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Republika e Kosovën vazhdon të mbetet e përkushtuar që të punoj bashkë me aleatët dhe partnerët për të kontribuar për paqen e qëndrueshme më rajon dhe botë.
Në ceremoninë e pranim-dorëzimit të donacionit të SHBA-së me automjete ushtarake të blinduara, ai ka thënë se vendi është duke u përballur me sfida e vështirësi si rezultat i pandemisë globale.
“Pavarësisht kësaj gjendje të rënduar, Republika jonë vazhdon të mbetet e përkushtuar që të punoj bashkë me aleatët dhe partnerët për të kontribuar për paqen e qëndrueshme, stabilitetin afatgjatë dhe sigurinë rajonale e globale. Vendi ynë po mirëpret refugjatët afganë, po mbështet ushtarakisht paqen në Lindjen e Mesme, dhe vendet e rajonit me fatkeqësisht natyrore. Në rrugën e rritjes dhe zhvillimit të ushtrisë tonë, rol të rëndësishëm luan partneri ynë i pazëvendësueshëm strategjik Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka vlerësuar se mbështetja me automjete të blinduara nga SHBA-të është vetëm njëra nga shumë fusha ku ShBA-të po kontribuojnë për mbrojtjen dhe sigurinë e vendit dhe popullit tonë.
“Në emër të qeverisë i shpreh falënderime dhe u jemi mirënjohës ShBA për mbështetjen e vazhdueshme dhe të pakursyeshme për zhvillimin e sistemit të mbrojtës së vendit tonë. Qeveria e Kosovës mbrojtjen e territorit dhe sovranitetin e republikës e sheh si interes vital shtetëror, dhe në këtë aspekt përkrahjen e FSK e trajton me prioritet të veçantë. FSK ka dëshmuar se i ka më të mëdha aftësitë sesa mundësitë”, ka thënë Kurti.



