
Kurti kujton Luan Haradinajn: Ishte guximtar dhe trim
Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka kujtuar heroin Luan Haradinaj në përvjetorin e 28 të rënies.
Kurti ka thënë se Luani ishte guximtar dhe trim, ndonëse në një moshë të re.
“Student e luftëtar: jeta e tij ishte e ndarë mes zjarrit të dijes dhe zjarrit të luftës. Luani i mbronte shokët, e mbronte atdheun e luftonte për liri. Aksionet e tij guerile kundër policisë serbe kanë qenë të panumërta, sepse në mendje e zemër kishte atdheun e dashur dhe gëzimin e lirisë bashkë me të gjithë ne. Luani u vra kur i kishte 23 vjeç teksa kalonte kufirin e ish-Jugosllavisë që ndante shqiptarët në Kosovë dhe Shqipëri, të cilin e përshkonte shpesh për shkak të studimeve por edhe rastit për të realizuar aksione kundër forcave serbe e bartur armatim për të furnizuar luftëtarët e UÇK-së. 6 maji i vitit 1997 është përvjetori i rënies së tij dhe shënimi i humbjes së një atdhetari e patrioti të kombit. Lavdi veprës së Luan Haradinajt dhe të gjithë dëshmorëve të kombit!”, ka shkruar Kurti në “Facebook”.