Kurti kundër idesë së Mimoza Kusarit për qeveri të përkohshme: Sapo të fillojë punën Kuvendi e zgjedhim qeverinë e re

08 tetor 2025 | 12:24

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, pas shmangies thuajse konstante për të folur për formimin e institucioneve pas muajsh vonesa që nga mbajtja e zgjedhjeve në shkurt, sot ka vendosur më në fund të përgjigjet ne pyetjet e gazetarëve.

Ai ka thënë se do ta zgjedhin qeverinë e re “sapo të fillojë punën Kuvendi”.

“Ne jemi qeveria në detyrë, porsa të fillojë punën Kuvendi, e zgjedhim qeverinë e re. Unë jam në muajin e shtatë të vitit të pestë të mandatit të plotë katërvjeçar, pra është më shumë sesa që është dashur, herën e parë ishte më pak sesa që është dashur, herën e tretë do të jetë tamam”, ka thënë Kurti.

Qëndrimi kundër i Kurtit për një qeveri të përkohshme bie ndesh me qëndrimin e partneres së tij të koalicionit, Mimoza Kusari-Lila.

Para disa ditësh, ajo kishte thënë se e sheh të nevojshme që para se të ketë dakordim për zgjedhje të reja, të formohet një qeveri e përkohshme përmes një marrëveshjeje politike me agjendë vetëm legjislative, në mënyrë që të miratohet buxheti për vitin 2026, si dhe disa marrëveshje ndërkombëtare që ndërlidhen me fondet e BE-së për Kosovën, në kuadër të Planit të Rritjes.

Kusari-Lila për “Kosovapress” kishte thënë se kjo nuk ka të bëjë me idenë e LDK-së për qeveri të tranzicionit, por të mbështetet vetëm një grup parlamentar për formimin e qeverisë së përkohshme për kryerjen e këtyre obligimeve.

Sa për kontekst, Kuvendi i Kosovës mbeti i pakonstituuar për shkak të këmbënguljes së Lëvizjes Vetëvendosje për ta bërë Albulena Haxhiun kryeparlamentare pa i pasë votat e nevojshme. Pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese që e caktoi limitin se sa herë mund të propozohet një deputet për të parin e Kuvendit, procesi nisi zhbllokimin me zgjedhjen e kryeparlamentarit Dimal Basha.

Ngecja zuri vend sërish kur nga pakoja u nda votimi i nënkryetarëve nga komunitetet joshumicë me insistimin e serishëm të Lëvizjes Vetëvendosje që për synim kishte ta bënte Nenad Rashiqin nënkryetar të Kuvendit nga komuniteti serb, i cili po ashtu s’gjeti përkrahjen e Kuvendit.

Aktualisht, çështja ka mbetur pezull derisa Gjykata Kushtetuese ta publikojë vendimin e plotë pas ankesës së Listës Srpska. Kushtetuesja në njoftimin për vendimin tha se ka konstatuar se Kuvendi nuk është i konstituuar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Artan Hodaj shpall të pavlefshme dëftesën e shkollës fillore “Luigj…