Kurti: Kushtetutshmëria dhe ligjshmëria do të jenë për të gjithë, pa dallim kryetarësh
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në përurimin e parkut në lagjen e Boshnjakëve në veri të Mitrovicës, së bashku me kryetarin e komunës veriore, Erden Atiq, nënkryetaren, kandidatin për kryetar të Mitrovicës së Jugut, Faton Peci dhe disa ministra të qeverisë.
“Jemi këtu bashkë me kryetarin e komunës veriore të Mitrovicës, Erden Atiq, edhe nënkryetaren, por gjithashtu edhe me kryetarin e ardhshëm të komunës jugore, Faton Pecin, me ministrat që janë të gjithë bashkë për këtë ditë të gëzuar, për rini, për fëmijë, për komunë dhe për të gjithë banorët pa dallim. Unë falënderoj shumë për bashkëpunimin e institucioneve të nivelit qendror me ato lokale dhe e gëzoftë kjo ditë të mbarë për të gjithë” ka thënë Kurti.
Ai gjithashtu ka theksuar i rëndësinë e zbatimit të ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë për të gjithë.
“Kushtetutshmëria dhe ligjshmëria do të jenë në vend për të gjithë, pa dallim të pushtetit lokal, pavarësisht kryetarëve që shkojnë e vijnë. Shteti, Republika, do të jetë këtu pranë jush – për shqiptarë, për serbë, për Boshnjakë dhe për të gjitha komunat”, ka thënë Kurti.




