Kurti, Marta Kosit: Asnjë vend i rajonit s’ka qenë më i përgatitur se Kosova për statusin e vendit kandidat
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në margjinat e Forumit Ekonomik në Davos, është takuar me Komisioneren e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos.
Zyra e kryeministrit ka njoftuar se temat e diskutuara mes tyre ishin mbi “progresin ekonomik” dhe “avancimin demokratik të vendit”, për të cilat ka thënë se janë kyçe në rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian.
Për ambiciet e Kosovës për marrjen e statusit të vendit kandidat, Kurti, sipas zyrës së kryeministrit i ka thënë komisioneres Kos se Kosova është më e përgatitur se vendet e rajonit që kishin qenë kur i është dhënë ky status.
“Raporti i vendit i Komisionit Evropian për vitin 2025 dëshmoi se Kosova ka vazhduar progresin në integrimin evropian. Asnjë vend i Ballkanit Perëndimor nuk ka qenë më i përgatitur në momentin e marrjes së statusit të vendit kandidat, andaj edhe progresi demokratik i Kosovës meriton të vlerësohet me këtë status”, ka njoftuar zyra e kryeministrit.
Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE nuk ka lëvizur para që kur është dorëzuar më fund të viti 2022.
“Në takim u diskutua edhe rreth situatës gjeopolitike, Planit të Rritjes, bashkëpunimit rajonal dhe aktualitetit. Sa i përket bashkëpunimit rajonal, kryeministri Kurti theksoi se Kosova luan rol aktiv dhe konstruktiv dhe mbështet integrimin më të gjerë ekonomik të rajonit bazuar në vlerat dhe standardet e Bashkimit Evropian”, ka njoftuar zyra e kryeministrit.



