Kurti mban mbledhje online me qendrat e LV-së: Zgjedhjet janë afër, punoni!

30 mars 2020 | 09:55

Lëvizja Vetëvendosje, në një njoftim në faqen e vet zyrtare, ka njoftuar se është mbajtur mbledhja e qendrave të kësaj organizate, në të cilën mori pjesë kryeministri i Republikës së Kosovës, njëherësh kryetari i Lëvizjes, Albin Kurti, sekretarja organizative Vlora Haxhimehmedi dhe koordinatori i Qendrave, Valon Hoti.

“Në këtë mbledhje të drejtuar nga Vlora Haxhimehmedi, kryetari Kurti i njoftoi përfaqësuesit e qendrave të Lëvizjes me vendimet që ka marrë qeveria për ta luftuar koronavirusin dhe për masat e ndërmarra dhe ato që parashihen të ndërmerren për t’i ndihmuar bizneset, punëtorët dhe ata që kanë më së shumti nevojë. Kryetari, po ashtu, foli edhe për shkarkimet e bordeve dhe zyrtarëve institucionalë që janë bërë muajt e kaluar, për mocionin e votëbesimit javës që shkoi dhe për hapat e ardhshëm që ne si organizatë e si struktura duhet t’i ndërmarrim si në aspektin shoqëror të kujdesit e solidaritetit gjatë konfrontimit të pandemisë, po ashtu edhe për aspektin politik të situatës së krijuar pas mocionit”, thuhet në njoftim.

Lëvizja Vetëvendosje, po ashtu, njofton se kjo parti ka mbështetjen më të madhe që e ka pasur ndonjëherë. “Në adresat e saj kanë mbërritur kërkesa e interesime si dhe janë bërë anëtarësime ‘online’ si asnjëherë më parë. Qytetarët e vetizoluar nga virusi COVID 19 po vazhdojnë të jenë aktivë. Nuk ka sfidë më të rëndësishme se fitorja përballë këtij virusi, punë për të cilën u përgëzua kryeministri nga e gjithë organizata jonë. Pas kësaj përballje do të bëhemi gati për zgjedhje. Vota e deputetëve më 25 mars kundër qeverisë në Kuvendin e Republikës është votë që na drejton drejt kutive të votimit. Zgjedhjet e jashtëzakonshme janë të paevitueshme. Orvatjet e presidentit për të bërë qeveri të ‘unitetit’ janë të rrezikshme sepse e shkelin Kushtetutën, gjegjësisht nenin 82, pikën 2 të saj”, është thënë në njoftimin e kësaj lëvizje, e cila ka thënë se zgjedhjet janë afër. “Prandaj, meqenëse zgjedhjet janë afër, është detyrë e secilit prej nesh të punojë që të rritet organizata jonë. Legjitimiteti buron nga zgjedhjet. Zgjedhjet e fundit i ka fituar Lëvizja jonë e jo partitë e tjera. Nuk mund e nuk do ta lejojmë të vidhet vota për ndryshim. Deri atëherë, kujdes të shtuar e qëndrim të mbarë nëpër shtëpi”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Autoritetet franceze raportuan për 292 vdekje të reja nga koronavirusi…