
Kurti: Mbi 300 milionë euro investime në katër vitet e fundit në ushtri
Me një ceremoni ushtarake bënë betimin 350 rekrutëve të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilët nga sot do të shërbejnë në radhët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, pas trajnimit nëntë javorë në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes.
Ceremonia filloi me raportimin para Komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, si akt simbolik i nisjes së një faze të re në jetën ushtarake të të rinjve që kanë zgjedhur t’i shërbejnë atdheut me nder dhe përkushtim.
Në praninë e udhëheqësve ushtarakë dhe civilë, përfaqësuesve të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë, rekrutët e rinj dhanë betimin solemn për shërbim ndaj vendit, duke shprehur gatishmërinë e tyre për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka uruar diplomimin e 350 ushtarëve të rinj të ushtrisë sonë.
“Teksa ata u betuan për të përballur çdo armik e çfarëdo kërcënimi të paqes e të sigurisë, në çdo kohë, ne zotohemi para tyre që do ta kenë gjithnjë përkrahjen e popullit, shtetit dhe qeverisë. Me mbi 300 milionë euro investime në këto katër vitet e fundit dhe mbi 2 700 ushtarë e oficerë të rinj të rekrutuar – 123% më shumë ushtarë se në vitin 2021 – ushtria jonë po ecën me hapa të shpejtë drejt zhvillimit, me kapacitete të plota si ushtri profesionale, me ushtarakë të përgatitur e të pathyeshëm, për sovranitet shtetërorë të paprekshëm e integriteti territorial të pacenueshëm. Qofshin me shëndet e me forcë për krejt atdheun tonë në çdo kohë, e gjithmonë faqebardhë!”, ka theksuar Kurti, duke shtuar se përballë armikut e çfarëdo kërcënimi të paqes e të sigurisë, më nuk qëndron Kosova e dikurshme, por ushtria e Kosovës me shumë të rinj e të reja që si ju ballëhapur bartin uniformën me simbolin e shqiponjës sypatrembur në krah.
“Të përgatitur në aspektin profesional e logjistik ushtarët tanë janë të pamposhtur e të pathyeshëm, kurse sovraniteti shtetërorë i paprekshëm e integriteti territorial i pacenueshëm”, ka deklaruar Kurti.