
Kurti: Më 12 tetor, lagjja Mat, ia bën mat në tri lëvizje pushtetit aktual komunal në Prishtinë
“Më 12 tetor, lagjja Mat, ia bën mat në tri lëvizje pushtetit aktual komunal në Prishtinë: e para Hajrulla Çeku kryetar; e dyta Vetëvendosje!, 105; e treta vota për një nga kandidatët për Kuvend Komunal, për shumicë në përfaqësimin e kryeqytetit”, kështu ka thënë kryetari i LV-së, Albin Kurti në një tubim në lagjen Mati në kryeqytet.
Kurti ka thënë se: “Na duhet ky ndryshim, sepse Prishtina është bërë qytet i vështirë për ne që jetojmë në kryeqytet por edhe për ata që e vizitojnë. Nuk mund të bëhesh e as të jesh kryetar i Prishtinës kur oligarkët ta përcaktojnë kahjen e zhvillimit të qytetit. Nuk kalojnë të tillët më në Prishtinë e Prishtina nuk e lejon më këtë”, ka shkruar Kurti në “Facebook”.
Sipas tij, ata nuk kanë vizion e as respekt për qytetarin. “Ne e kemi vizionin për Prishtinën, e kemi platformën qeverisëse, e kemi edhe dashurinë për qytetin. E kemi edhe kandidatin që e mishëron atë dashuri dhe ky është Hajrulla Çeku. Hajra e njeh më mirë se kushdo tjetër Prishtinën sepse e jeton, e ka përjetuar dhe studiuar. Ai është profesionist i dalluar, ministër i dëshmuar, njeri i ndershëm dhe zyrtar i përkushtuar”.
“Hajra nuk favorizon lagje dhe nuk bën pazare, nuk punon për emra të përveçëm dhe nuk i frikësohet askujt. Është njeri që bashkon e punon, jo që ndan e improvizon. Hajrulla Çeku dhe Lëvizja Vetëvendosje! do ta bëjnë Prishtinën qytet ku planifikohet me dije, investohet me prioritet dhe ku çdo lagje merr trajtimin që i nevojitet dhe e meriton. Le ta sjellim fitoren e madhe për Matin, për Prishtinën e për të mirën e secilit banor të kryeqytetit”, ka thënë Kurti.