Kurti me bashkëpunëtorë takon udhëheqjen e Federatës Sindikale të Shëndetësisë

07 dhjetor 2018 | 12:37

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka pritur sot në takim udhëheqjen e Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës, përkatësisht kryetarin e saj dr. Blerim Syla, nënkryetarin dr. Xhemajl Selmani, dhe anëtarin e kryesisë dr. Islam Krasniqi.

Në këtë takim drejtuesit e Vetëvendosjes kanë dëgjuar me vëmendje shqetësimet e sindikalistëve shëndetësorë.

Përveç konstatimit të përbashkët për gjendjen e rëndë në sektorin e shëndetësisë e të mjekësisë, në veçanti është trajtuar tema e Projektligjit për pagat dhe e Projekt Buxhetit dedikuar shëndetësisë për vitin 2019.

Përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje kanë shprehur habinë me faktin se qeveria fare nuk e ka kontaktuar udhëheqjen e Sindikatës së Shëndetësisë kur është përpiluar Projekt Buxheti 2019.

Në anën tjetër ata i informuan sindikalistët që me dashakeqësi partnerët e koalicionit qeverisës po e vonojnë votimin në lexim të dytë të Projektligjit mbi pagat pas miratimit të buxhetit 2019, në mënyrë që ai të ngelet vetëm në letër e të mos mund të zbatohet.

Sipas tyre, në Projektbuxhetin 2019 nuk është paraparë fare kostoja financiare e Projektligjit të ri për pagat.

Të dyja palët janë pajtuar për intensifikim të bashkëpunimit.

Në këtë takim Kurti ka qenë i shoqëruar nga nënkryetarja dhe deputetja Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, dr. Jusuf Ulaj, dr. Mirsad Shkreta dhe dr. Baton Kelmendi nga Komiteti Profesional i Vetëvendosjes për Shëndetësi.

 /Epoka e re/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim…