
Kurti: Me kamionët në rrugë serbët po bllokojnë veten, vetëm Vuçiqi ka interes për incidente dhe destabilizim
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot gjatë mbledhjes se qeverisë është deklaruar lidhur me situatën e krijuar në veri të vendit.
Kurti ka thënë se Kosova nuk është për incidente, por është për dialog.
Më tutje, ai u ka bërë thirrje kryetarëve të komunave në veri që të largojnë kamionët që kanë vendosur si bllokada në rrugët që qojnë drejt pikave kufitare në Jarinje e Bërnjak, duke theksuar se i vetmi që është i interesuar për incidente dhe eksese është presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.
“Policia është për garantimin e sigurisë dhe ruajtjen e qetësisë publike përkundër pengesave që kemi në veriun e Kosovës. I falënderoj në veçanti të gjithë policët për profesionalizimin dhe korrektësinë e tyre. Dëshirojë të theksoi se vendimi për targat e përkohshme është vendim i drejtë dhe garanton të drejtën për lëvizjen e lirë të qytetarëve, përfshirë edhe ata serbë në Kosovë. Përmes pajisjes me targa të përhershme të Kosovë. Përgjigja pozitive nga qytetarët tanë përfshirë edhe serbët lokalë tregon më së miri gatishmërinë e tyre për lëvizje të lirë. Pengesat në rrugë janë duke u bërë me disa kamionë që janë pronë e institucioneve komunale dhe kjo sigurisht që përbën shkelje dhe keqpërdorim të pronës publike”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se vënia e ligjshmërisë në vend është në interes të të gjithëve dhe kundër askujt.
“Ftoj kryetarët e komunave në veri që të tërheqin automjetet e institucioneve nga rruga dhe ftoj grupin e organizuar të serbëve të largohen nga dy rrugët regjionale, meqë kështu kanë bllokuar vetveten dhe lëvizjen e tyre. Vënia e ligjshmërisë në vend është në interes të të gjithëve dhe kundër askujt. Masa që kemi marrë janë për të gjithë pa diskriminuar e privilegjuar askënd. Për incidente dhe eskalim s’ka interes shteti dhe qytetarët tanë, nuk kanë interes as serbët në Kosovë, nuk ka interes për destabilizim as Serbia duket se vetëm një individ ka interesim për incidente dhe eksese, por ky individ është presidenti serb. Ne jemi për bisedime e dialog, këtë ia kemi konfirmuar edhe Brukselit, si përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrell si dhe përfaqësuesit të tij, Miroslav Lajçak”, është shprehur Kurti.