Kurti me Osmanin dhe Bashën vendosin kurorë me lule për viktimat e Holokaustit: Populli ynë ka treguar empati të veçantë ndaj tyre
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë me dije se pranë pllakës që shënon sinagogën e fundit në Kosovë ka vënë kurorë me lule në përkujtim të viktimave që vdiqën nëpër kampet e përqendrimit nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore.
“Pranë pllakës që shënon sinagogën e fundit në Kosovë, e cila ishte pjesë e çarshisë së vjetër të Prishtinës, në Ditën Ndërkombëtare Përkujtimore të Holokaustit, bashkë me presidenten e Republikës, Vjosa Osmani dhe kryetarin e Kuvendit, Dimal Basha vumë kurorë me lule në përkujtim të të gjitha viktimave që u vranë me plumba dhe gaz, që u dogjën në krematoriume, apo vdiqën nga kushtet e tmerrshme nëpër kampet e përqendrimit dhe nga aksionet e nazistëve gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore”, ka shkruar Kurti në “Facebook”.
Kurti ka thënë se “këto krime mizore dhe vuajtje çnjerëzore i dhanë njohje ndërkombëtare konceptit të gjenocidit, përmes së cilit ne sot i emërtojmë aktet e vrasjeve dhe shkatërrimet e qëllimshme, të pjesshme apo të tërësishme, të një komuniteti të caktuar etnik, kombëtar, fetar apo racor”.
“Duke qenë edhe vetë viktima të gjenocidit, dëbimit, spastrimit etnik dhe krimeve kundër njerëzimit të kryera nga Serbia, populli jonë ka treguar gjithmonë empati të veçantë ndaj popujve që ishin cak i tyre. Andaj edhe sot, si në çdo përvjetor, i kujtojmë viktimat e Holokaustit që mos t’i harrojmë vuajtjet dhe dhimbjen, dhe i rikujtomë ngjarjet që ato mos të përsëriten”, ka shkruar Kurti.



