Kurti: Me presidentin Macron diskutuam për rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian
Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se në takimin me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, që ka zhvilluar të premten kanë pasur një diskutim të thellë e të sinqertë për rreth dy orë, që u përqendrua në temat e bashkëpunimit e të integrimit, të sigurisë e të mbrojtjes, si dhe të ekonomisë e të zhvillimit, raporton Ekonomia Online.
“Pasditen e së premtes isha mysafir i presidentit të Francës, Emmanuel Macron, në një takim dhe drekë pune në fshat, në pallatin Elysee. Pritja e përzemërt u përcjell me një diskutim të thellë e të sinqertë për rreth 2 orë, që u përqendrua në temat e bashkëpunimit e të integrimit, të sigurisë e të mbrojtjes, si dhe të ekonomisë e të zhvillimit. Me presidentin Macron biseduam për rrugën tonë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në organizata të tjera ndërkombëtare. Pastaj për rolin e rëndësishëm e të vazhdueshëm të NATO-s në Kosovë, për bashkëveprimin me aleatët veri-atlantik dhe për sigurinë rajonale në Ballkan. Forcimi i kapaciteteve mbrojtëse dhe raportet me fqinjin verior të Kosovës ishin çështje të cilat në kontekst të sigurisë së vendit tonë i diskutuam me presidentin francez. Organizimi i forumeve të reja të bizneseve Kosovë-Francë si vijimësi e atij që u mbajt suksesshëm muajin e kaluar këtu në Prishtinë, si dhe planet dhe investimet në edukim ishin gjithashtu tema të takimit. Roli mbështetës dhe angazhimi i miqve francezë në përgatitjet për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030 në vendin tonë është tejet i rëndësishëm”, tha ai.
“Në fund të janarit 2025, ndamë 500,000 euro për ndihmë humanitare për popullin palestinez në Gaza. Sot ndërkaq në rend dite kemi propozim vendimin nga Ministria e Mbrojtjes për të kërkuar nga Kuvendi i Republikës marrjen e vendimit për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në mision në Gaza, si mbështetje për forcat e sigurisë”, tha ai.



