
Kurti me Rashiqin e Rizvanollin në rezidencën e diplomates amerikane për takim me zyrtarin e DASH-it
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me Brendan Hanrahan, zyrtar i lartë në Byronë për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike në Departamentin e Shtetit të SHBA-së. Në këtë takim morën pjesë edhe ministrja Artane Rizvanolli dhe ministrin Nenad Rashiq.
Përmes një postimi në platformën X, Kurti ka bërë të ditur se në këtë takim ka falënderuar zyrtarin amerikan për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për Kosovën.
“Diskutuam për mënyrat se si mund të forcojmë më tej marrëdhëniet tona bilaterale, përfshirë bashkëpunimin ekonomik, diplomacinë dhe mbrojtjen, ndër të tjera,” shkroi Kurti.
Diplomati amerikan ditë më parë ka bërë të ditur se gjatë kësaj jave do të vizitojë Ballkanin Perëndimor, ku përveç Kosovës, ai kishte paralajmëruar vizitë në Bosnjë dhe Herecegovinë dhe Serbi.