Kurti mori pjesë në hapjen e punimeve të edicionit të 16-të të konferencës shkencore ‘Java e Albanologjisë’

26 maj 2025 | 15:12

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në hapjen solemne të edicionit të 16-të të konferencës shkencore “Java e Albanologjisë”, e cila ka filluar punimet të hënën dhe do të vazhdoj deri më 30 maj.

Në mesin e shumë studiuesve dhe albanologëve, kryeministri Kurti është shprehur thellësisht i nderuar, pikërisht për faktin se puna shkencore e tyre përkon me identitetin e popullit tonë, që nga gjuha, letërsia, folklori, etnografia, këngët dhe gjithçka që kulturalisht ne na bën shqiptarë, ashtu siç periudha e lindjes së albanologjisë përkon me periudhën e ndërgjegjësimit tonë kombëtar.

“Që nga Georg fon Hani, që konsiderohet si baba i albanologjisë, e deri te albanologu i shquar amerikan, Erik Hampi, ne kemi një varg të gjatë albanologësh të huaj që shtruan rrugën, thelluan dhe zgjeruan njohuritë për gjuhën dhe kulturën tonë, historinë dhe lashtësinë tonë. Me rezultatet e punës së tyre ata dëshmuan, në mënyrë të pakundërshtueshme, se gjuha shqipe i takon familjes së gjuhëve indoevropiane dhe se kultura shqiptare është pjesë e arealit kulturor evropian. Ata, kësisoj, nxorën në dritë dhe iu përgjigjën pyetjes kardinale se kush ishin shqiptarët”, ka thënë Kurti.

Në fjalën e tij, ai ka përmendur edhe kontributin e albanologëve shqiptarë si Eqrem Çabej, Selman Riza, Idriz Ajeti, Shaban Demiraj, Mahir Domi, Rexhep Qosja, Mark Tirta, Rexhep Ismajli, Sadri Fetiu, Bardhyl Demiraj e të tjerë, të cilët me punën e tyre jo vetëm që thelluan argumentimet se kush ishin shqiptarët, por duke bërë hulumtime multidisiplinare iu përgjegjën edhe pyetjeve se çfarë ishin e çfarë janë shqiptarët.

Kryeministri Kurti ka veçuar ndër temat kryesore të konferencës trajtimin e “leksikografisë bashkëkohore”, dhe punën që po zhvillohet në përgatitjen e një fjalori të ri të shqipes prej rreth 100 mijë fjalësh, fakt që dëshmon për më shumë se dyfishim të fjalorit të vitit 1981, që kishte rreth 41 mijë fjalë.

“Një leksikografi bashkëkohore në këto kohë digjitale nuk mund të paramendohet pa një trajtim të ri teorik të materialit gjuhësor, për shkak të zhvillimeve të reja në të gjitha fushat shkencore. Njohuritë e duhura teknologjike do të ndihmonin shumë që shqipja t’u bënte ballë sfidave të reja të kohës dhe të rrinte në hap me caqet ku kanë arritur shumë gjuhë të tjera. Por kjo, jam plotësisht i bindur, do të trajtohet në mënyrë profesionale nga ju”, ka thënë ai, duke ritheksuar përkrahjen institucionale duke shprehur besimin se rezultatet e kësaj konference do të shënojnë një hap tutje në fushën e të arriturave albanologjike.

Në kuadër të kësaj konference shkencore do të mbahen pesë sesione nga fushat e gjuhësisë, letërsisë, historisë, folklorit dhe etnologjisë, si dhe do të ketë diskutime të ndryshme për çështje të rëndësishme e të veçanta të kërkimeve albanologjike.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në lagjen Mavraj të Staradranit të komunës së Istogut është…