Kurti: NATO-ja, garantuese e sigurisë dhe orientim strategjik për Kosovën
Kryeministri Albin Kurti ka shprehur falënderimin për angazhimin dhe përkushtimin e vazhdueshëm të NATO-s për paqe, stabilitet në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor.
Ai gjatë një takimi me delegacionin e Komiteti Ushtarak të NATO-s, ka thënë se roli i KFOR-it mbetet thelbësor jo vetëm për sigurinë e vendit, por mbarë rajonit.
Kurti ka theksuar se për Kosovën, NATO-ja nuk është vetëm garantuese e sigurisë, por orientim strategjik dhe destinacion.
“Në kontekst të procesit të integrimit evropian, ai tha se krahas politikës së pranimit, duhet t’i kushtohet rëndësi edhe dëshirës për anëtarësim. Pasi foli për rritjen e nivelit të sigurisë në vend, me theks në veri, në kontekst rajonal kryeministri përmendi synimet destabilizuese të Serbisë të mbështetur nga Rusia. Kryeministri Kurti, po ashtu, theksoi bashkëpunimin e ngushtë të Forcës së Sigurisë së Kosovës me NATO-n”, ka njoftuar zyra e kryeministrit.
Delegacioni i Komitetit Ushtarak të NATO-s, i cili që po qëndron për vizitë në Kosovë po udhëhiqet nga kreu i këtij komiteti, Giuseppe Cavo Dragone, dhe kreu i Komitetit Ushtarak të Bashkimit Evropian, gjenerali Sean Clancy.



