
Kurti: Ndërkombëtarët të mos e trajtojnë Serbinë si shtet normal pa dorëzimin e Radoiçiqit
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti i ka bërë thirrje faktorit ndërkombëtar që mos ta konsiderojnë Serbinë “shtet normal” përderisa nuk i dorëzon pjesëtarët e grupit terroristë që kryen sulmin në Banjskë të Zveçanit dy vjet më parë.
Kurti ka thënë se Milan Radoiçiq dhe pjesëtarët tjerë të këtij grupi ndaj të cilëve është ngritur edhe aktakuzë duhet të dorëzohen në Kosovë.
“I bëjë thirrje faktorit ndërkombëtar që mos ta konsiderojnë Serbinë, shtet normal derisa nuk i dorëzon kriminelët të udhëhequr nga Milan Radociqi dhe të mbështetur nga presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq. Këta duhet t’i dorëzohen Kosovës”, ka thënë Kurti pas homazheve të bëra tek varri i heroit Afrim Bunjaku në dy vjetorin e vrasjes së tij në Banjskë.
Kurti ka thënë rënia e rreshterit Bunjaku nuk ishte e kot, pasi Kosova pas këtij sulmi doli më e fortë si në aspektin e brendshëm, por edhe në atë ndërkombëtarë.
“Rënia heroike e Afrim Bunjakut nuk ishte e kot, ishte një rënie e cila e ngriti Republikën Kosovës, shtetin tonë të pavarur edhe se brendshmi edhe në reputacionin e saj ndërkombëtarë , se kemi të bëjmë me një shtet i cili i del zot vetvetes dhe ka policë që sakrifikohen për të mbrojtur qytetarët pa dallim”, ka thënë Kurti.